Nga kjo e hënë, për të gjithë udhëtarët që duan të shkojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të ketë më kufizime në kufijtë ajrorë dhe ata tokësorë, me kushtin që të jenë të vaksinuar. Shtëpia e Bardhë vendosi të heqë masat e ndalimit, që kanë hyrë në fuqi prej një viti e gjysmë, ndërsa shkalla e vaksinimit ka arritur në nivelin e rreth 60 %.
Rregullat e reja lejojnë hyrjen në rrugë ajrore për sa kohë që udhëtari ka dëshmi të vaksinimit dhe një test negativ për Covid-19. Ndërsa udhëtarët që hyjnë në shtetet e bashkuara në rrugë tokësore nga Meksika dhe Kanadaja, do të duhet të dëshmojnë vaksinimin, por nuk kanë nevojë për test.
Qendrat tregtare, restorantet dhe dyqanet në qytetet kufitare amerikane, janë shkatërruar nga mungesa e vizitorëve nga Meksika. Në kufirin me Kanadanë, rivalitetet ndërkufitare të ekipeve të hokejit ishin tradita të komunitetit derisa u përmbysën nga pandemia.
Sipas qendrave për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve, Shtetet e Bashkuara do të pranojnë udhëtarët që janë vaksinuar plotësisht me ndonjë nga vaksinat e miratuara për përdorim emergjent nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, jo vetëm ato që janë në përdorim në SHBA.