Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin më 6 janar zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Sergei Shoigu dhe diskutoi për “uljen e rrezikut pranë kufijve të Ukrainës”, tha Petagoni në një deklaratë të shkurtër.
“Është e qartë se ne ende jemi shumë të shqetësuar nga ajo që po shohim”, tha një zyrtar amerikan i mbrojtjes për agjencinë Reuters, pa komentuar për këtë bisedë mes zyrtarëve amerikanë dhe rusë.
Biseda mes Austin dhe Shoigo vjen në kohën e shqetësimeve në Perëndim, pas grumbullimit të pothuajse 100,000 trupave ruse në afërsi të kufijve të Ukrainës. Perëndimi ka frikë se Rusia po përgatitet për një pushtim të Ukrainës, por Moska hedh poshtë këto pretendime.
Rusia ka kërkuar garanci se Ukraina dhe shtetet e tjera të ish-Bashkimit Sovjetik nuk do t’i bashkohen NATO-s dhe po ashtu kërkon që Aleanca Veri-Atlantike të tërheqë dislokimet ushtarake në Evropën Lindore dhe Qendrore.
Perëndimi ka hedhur poshtë ultimatumet e Moskës sa i përket NATO-s dhe ka kërcënuar se do të vendosë sanksione të ashpra dhe do të ndërmarrë masa të tjera nëse Rusia sulmon Ukrainën.
Rusia më 2014 aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe vazhdon të sundojë këtë rajon.