Zyrtarët amerikanë do të presin javën e ardhshme homologët e tyre rusë, për të diskutuar çështje të sigurisë kibernetike. Presidenti Joe Biden do të mbledhë sot zyrtarë të sigurisë për të diskutuar po këtë temë, njoftoi sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
Qindra kompani amerikane janë prekur nga një sulm kibernetik, që është kryer më 2 korrik, kundër kompanisë së teknologjisë Kaseya, me seli në Floridë.
Kryesit e sulmit, që dyshohet se janë rusë, janë duke kërkuar 70 milionë dollarë për të zhbllokuar të dhënat e kompanive.
Psaki tha se kompanitë nuk duhet të paguajnë shumën e kërkuar, pasi një gjë e tillë vetëm se do t’i inkurajojë kriminelët kibernetikë të vazhdojnë veprimet e tyre.
Rasti Kaseya është sulmi i tretë i madh kibernetik, i kryer në muajt e fundit, nga kriminelë që besohet se vijnë nga Rusia.
Në maj, hakerët kanë sulmuar operatorin më të madh të tubacionit të karburanteve në SHBA, Colonial Pipeline.
Në qershor, shënjestër e sulmit kibernetik ka qenë kompania më e madhe në botë për përpunimin e mishit, JBS.
Sulmi kibernetik godet kompaninë më të madhe për përpunimin e mishit
Biden ka biseduar me homologun rus, Vladimir Putin, për sigurinë kibernetike, gjatë takimit të tyre në Gjenevë, muajin e kaluar.
Biden ka thënë se Kremlini duhet t’i ndjekë kriminelët kibernetikë brenda Rusisë.
Shumë analistë thonë se Kremlini mbyll sytë ndaj sulmeve kibernetike të hakerëve rusë, për aq kohë sa nuk i sulmojnë kompanitë vendase./REL