Shtetet e Bashkuara kanë arritur marrëveshje me talibanët për ulje të shkallës së dhunës për një javë, proces, i cili më vonë mund të rezultojë me tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani, ka thënë një zyrtar i lartë i administratës amerikane, transmeton Reuters.
Ky zyrtar u ka thënë gazetarëve në Konferencën për Siguri në Mynih se marrëveshja për ulje të shkallës së dhunës ende nuk ka nisur të zbatohet në praktikë.
Ky njoftim ka ardhur pas një takimi të realizuar në mes të Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Mark Esper dhe presidentit afgan, Ashraf Ghani të premten.
Një ditë më parë, presidenti amerikan, Donald Truump ka thënë se “ka mundësi të mira” për arritjen e një marrëveshjeje me talibanët në zvogëlimin e numrit të trupave amerikane, pas gati dy dekadave të luftës.
Nga një marrëveshje që rezulton me largim të madh të trupave amerikane, mund të përfitojë presidenti Trump, i cili vazhdimisht është zotuar për dhënie fund të “luftërave të pafunda”, teksa synon të fitojë edhe një mandat si president.
Zyrtari i lartë i administratës, i cili ka folur në kushte anonime, ka thënë se marrëveshja e arritur mbulon gjithë Afganistanin dhe duhet të zbatohet edhe nga forcat afgane, pavarësisht pse qeveria afgane është përjashtuar nga bisedimet në mes të Shteteve të Bashkuara dhe talibanëve në Katar.
“Ulja e shkallës së dhunës është shumë specifike. Vlen për gjithë kombin dhe përfshin afganët”, ka thënë ky zyrtar, duke shtuar se marrëveshja është krijuar kundër “secilit” sulm.
“Bombat rrugore, bombat vetëvrasëse, sulmet me raketa, të gjitha janë aty”, ka thënë mes tjerash ai./R.E.L