Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar vendosjen e një tarife të re prej 35% ndaj të gjitha mallrave kanadeze që hyjnë në SHBA duke filluar nga 1 gushti, nëse nuk arrihet një marrëveshje e re tregtare mes dy vendeve brenda afatit të 21 korrikut.
Njoftimi u bë përmes një letre të publikuar në platformën Truth Social, si pjesë e një fushate më të gjerë ku Trump ka shpërndarë mbi 20 letra drejtuar partnerëve kryesorë tregtarë të SHBA-së perfshire Japoninë, Korenë e Jugut dhe Sri Lankën , duke paralajmëruar tarifa që variojnë nga 15% deri në 35%.
Në letrën drejtuar Kanadasë, Trump përmendi disa arsye për vendimin e mundshëm, si:
• Mospërmbushja e angazhimeve për të ndalur rrjedhën e fentanilit drejt SHBA-së
• Taksa të padrejta që, sipas tij, Kanadaja u vendos fermerëve amerikanë të qumështit
• Deficiti tregtar në rritje mes dy vendeve
“Nëse Kanadaja ose kompanitë e saj vendosin të ndërtojnë apo prodhojnë brenda SHBA-së, tarifat nuk do të zbatohen,” shkruan Trump. Ai gjithashtu theksoi se tarifat “mund të pësojnë ndryshime, në rritje apo ulje, varësisht nga natyra e marrëdhënieve mes vendeve.”
Kryeministri kanadez Mark Carney reagoi menjëherë përmes platformës X (ish-Twitter), duke deklaruar se qeveria e tij do të mbrojë interesat e punëtorëve dhe bizneseve kanadeze dhe do të vijojë të punojë për një marrëveshje të drejtë me SHBA-në.


