“Shtetet e Bashkuara kanë qenë një fener shprese për ata që i largohen dhunës, shtypjes dhe persekutimit. Urdhri i fundit ekzekutivi e minon atë trashëgimi”.
Ilhan Omar ishte vetëm një prej zërave të ngritur nga vetë ligjvënës demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve ndaj urdhrit ekzekutiv të presidentit Joe Biden që parashikon kufizime të reja për emigrantët me qëllimin, siç tha ai, të rifitohet kontrolli i kufirit SHBA-Meksikë.
“Ky urdhër është jo vetëm një tradhti ndaj parimit mbi të cilin është ndërtuar ky komb, por është një tradhti edhe ndaj vetë normave të moralit. Ky urdhër nuk reflekton Amerikën që unë njoh dhe që e dua, Amerikën si vend të ndërtuar nga emigrantët, si komb që ngrihet të mbështesë të shtypurit. Ne kemi detyrimin moral të krijojmë një system emigracionit të drejtë, një sistem që mbështet vlerat tona dhe ofron një litar shpëtimi për ata që kanë dëshpërimisht nevojë”, u shpreh Ilhan Omar.
Urdhri i ri ekzekutiv kufizon përkohësisht të drejtën për të kërkuar azil në kufirin SHBA-Meksikë sa herë që numri i emigrantëve që kalojnë në mënyrë të paligjshme ose pa autorizim arrin një mesatare ditore prej 2500 vetësh. Sipas tij, ata që hyjnë në vend në mënyrë të paligjshme nuk do të kenë të drejtë për azil nëse nuk kanë arsye të jashtëzakonshme për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara.
“Këto masa nuk do të rregullojnë sistemin tonë të imigracionit, por ato mund të na ndihmojnë shumë në menaxhimin më të mirë kësaj sfide të vështirë”, u shpreh Biden. Të gjithë emigrantët, pa dallim kombësie, që hyjnë në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme përmes kufirit jugor preken nga ky urdhër.