Shoferi i kamionit në Teksas të SHBA brenda të cilit u gjetën 53 emigrantë të vdekur thotë se nuk e dinte që kondicioneri nuk punonte.
Kështu është shprehur në hetuesi shoferi i kamionit, sipas burimeve të BBC. Homero Zamorano u gjet i fshehur në disa shkurre pranë kamionit. Ai është një nga katër personat e akuzuar për tragjedinë me 53 emigrantë të vdekur. Brenda në kamion kishte edhe fëmijë, të cilët kanë mbetur të plagosur dhe ndodhen në spital.
Në momentin që u arrestua, 45-vjeçari pretendoi se ishte një nga të mbijetuarit në momentin që policia zbuloi viktimat brenda kamionit. Por hetimet zbuluan se ai ishte shoferi dhe akuzohet si një nga personat e përfshirë në këtë rast të kontrabandës së emigrantëve.
Ai dhe një 28-vjeçar i quajtur Christian Martinez janë akuzuar nga autoritetet amerikane se kanë komunikuar me njëri-tjetrin me mesazhe para dhe pasi kamioni me emigrantë u zbulua. Për këtë, policia ka si provë tablatet telefonike.
Të dy këta persona, nëse shpallen fajtorë, rrezikojnë të dënohen me vdekje. Dy persona të tjerë, meksikanë, që dyshohen të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë, akuzohen për armëmbajtje pa leje dhe qëndrim të paligjshëm në SHBA.
64 emigrantë ndodheshin gjithsej të fshehur brenda kamionit në Teksas. 53 humbën jetën, ndërsa të tjerët ishin në gjendje të rëndë shëndetësore dhe u dërguan në spital.