SHBA ka theksuar se Rusia deri në fillim të shkurtit synon të shtojë gjashtëfishin e pranisë së saj të trupave në Bjellorusi duke e çuar në 30 mijë numrin e forcave të armatosura.
Duke u adresuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e dërguara e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield tha se Rusia tashmë ka vendosur 5 mijë trupa në Bjellorusi së bashku me raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi, forca speciale dhe bateri kundër-ajrore, si dhe mbi 100 mijë trupa brenda kufirit të saj pranë Ukrainës.
Gjithsesi, tha Thomas-Greenfield, Kremlini po angazhohet në një “përshkallëzim në një model agresioni që ne e kemi parë në mënyrë të përsëritur”, duke përmendur pushtimin e Gjeorgjisë në vitin 2008, si dhe pushtimin dhe aneksimin e Gadishullit të Krimesë të Ukrainës në vitin 2014.
Ajo theksoi se nëse Rusia pushton më tej Ukrainën, “asnjë prej nesh nuk do të mund të thotë se nuk e pamë atë që po vinte”. Ajo tha se pasojat do të jenë të tmerrshme.
“Tashmë, lufta e Rusisë në Ukrainën lindore ka vrarë mbi 14 mijë ukrainas. Pothuajse 3 milionë ukrainas, gjysma e të cilëve janë të moshuar dhe fëmijë, kanë nevojë për ushqim, strehim dhe ndihmë për shpëtim të jetës. Sado shkatërruese të jetë kjo situatë, do të ishte e zbehtë në krahasim me ndikimin humanitar të pushtimit tokësor në shkallë të plotë që Rusia po planifikon aktualisht në Ukrainë”, tha Thomas-Greenfield.
E dërguara amerikane në OKB po i referohej mbështetjes së vazhdueshme të Moskës për rebelët separatistë në Ukrainën lindore që filloi në vitin 2014 dhe që ka vazhduar gjatë tetë viteve të fundit.
Takimi publik i Këshillit të Sigurimit të OKB-së vjen me kërkesë të SHBA-së dhe tejkaloi një përpjekje procedurale ruse për ta shuar atë pak debat të hapur përpara.
Vasily Nebenzya, i dërguari i Rusisë në OKB, akuzoi SHBA-në se lëshon “akuza të pabaza” mbi një pushtim të mundshëm rus të Ukrainës.
“Vendosja e trupave ruse brenda territorit tonë më parë ka ndodhur shpesh në shkallë të ndryshme dhe nuk ka shkaktuar asnjë gjendje histerike”, tha Nebenzya.
Më tej, ai vendosi në pikëpyetje vlerësimin e SHBA-së për 100 mijë trupa të stacionuara në territorin rus në kufirin e Ukrainës, duke theksuar se “nuk është kështu”. Ai shtoi se Rusia “asnjëherë nuk e ka konfirmuar këtë shifër”.