Sekretari Blinken dhe aleatët dalin të bashkuar përballë Rusisë
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken paralajmëroi një përgjigje “të shpejtë dhe të ashpër” nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate, nëse Rusia pushton Ukrainën. Komentet e sekretarit Blinken në Berlin janë një tjetër përpjekje për të qartësuar konfuzionin e mundshëm për pozicionin e Uashingtonit dhe vendeve aleate të NATO-s, pasi Presidenti Joe Biden u kritikua gjerësisht për frazën se “një ndërhyrje e vogël” nga Rusia do të merrte një përgjigje më të ulët.
“Nëse forcat ushtarake ruse kalojnë kufirin ukrainas dhe kryejnë akte të reja agresioni ndaj Ukrainës, ato do të marrin një përgjigje të shpejtë, të ashpër dhe të bashkuar nga Shtetet e Bashkuara, aleatët dhe partnerët tanë,” tha Sekretari Blinken gjatë një konference për shtyp me homologen e tij gjermane.
Në vazhdim, Sekretari Blinken e akuzoi Rusinë se po rrezikon themelet e rendit botëror me grumbullimin e rreth 100 mijë forcave ushtarake pranë kufirit me Ukrainën. Paralajmërimi i ashpër u bë nga Berlini, qyteti dikur i ndarë simbol i Luftës së Ftohtë mes Lindjes dhe Perëndimit. Sekretari Blinken përgatitet të takohet të premten në Gjenevë me Ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov, në kuadrin e përpjekjeve për të ulur tensionet që nuk duket se do të jenë të suksesshme.
“Çështjet me të cilat po përballemi janë të vështira, dhe zgjidhja e tyre nuk do të bëhet me shpejtësi. Sigurisht që nuk pres t’i zgjidhim në Gjenevë,” tha Blinken.
Fjalimi u mbajt pasi Sekretari Blinken dhe kryediplomatët e Britanisë, Francës dhe Gjermanisë u takuan në Berlin për të projektuar një front të përbashkët përballë Rusisë, të shqetësuar se ajo mund të jetë duke planifikuar pushtimin e Ukrainës. Një ditë më parë, ai u takua në Kiev me presidentin ukrainas për të diskutuar rreth këtij rreziku.