Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, William Barr mbrojti me forcë dërgimin e e qindra agjentëve federalë në qytetin Portland të Oregonit dhe në qytete të tjera të Shteteve të Bashkuara për të vënë nën kontroll protestat e dhunshme. Demokratët e opozitës e akuzuan atë se po shkel të drejtat civile të amerikanëve për të protestuar dhe se kishte ndërmarrë veprime për të mbështetur fushatën e Presidentit Donald për t’u rizgjedhur në nëntor.
Në një seancë të tensionuar në Komisionin Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, zoti Barr tha se vdekja në maj e afrikano-amerikanit George Floyd në duart e policisë në maj në Mineapolis të Minesotës, ishte diçka “e tmerrshme” që solli si rezultat një analizë të nevojshme të marrëdhënies mes organeve të rendit dhe afrikano-amerikanëve në Shtetet e Bashkuara. Por zoti Barr thotë se protestat e vazhdueshme në Portland dhe gjetkë janë shkëputur nga vdekja e zotit Floyd.
“Në këto skena shkatërrimi, nuk ka pothuajse asnjë përpjekje as sipërfaqësore nga protestuesit për t’i lidhur veprimet e tyre me vdekjen e George Floyd-it, dhe as me ndonjë thirrje legjitime për reforma”, tha ai. Ai përsëri kritikat e administratës Trump ndaj drejtuesve vendorë, shumë prej të cilëve e kanë kritikuar përgjigjen e qeverisë federale dhe i kanë bërë thirrje Kongresit të bllokojë vendosjet e forcave federale në qytetet e tyre. “Si zyrtarë të zgjedhur të qeverisë federale, çdo anëtar i këtij Komisioni- pavarësisht nga pikëpamjet politike apo ndjenjat e tij mbi administratën Trump duhet të dënojë dhunën kundër oficerëve federalë dhe shkatërrimin e pronës federale”, tha zoti Barr. “Udhëheqësit shtetërorë dhe lokalë kanë përgjegjësi t’i mbajnë komunitetet e tyre të sigurta. Të dënosh me heshtje shkatërrimin dhe anarkinë do të thotë të braktisësh parimet themelore të sundimit të ligjit që duhet të na bashkojnë edhe në një kohë përçarëse politikisht”, tha Prokurori i Përgjithshëm amerikan.
Kreu i komisionit, kongresmeni demokrat Jerrold Nadler, tha se zoti Barr po “ngjallte frikë” në gjithë vendin, duke dërguar trupat në Portland, edhe pes zyrtarët locale kanë qenë kundër. “T’ju vijë turp zoti Barr”, i tha zoti Nadler zyrtarit më të lartë të rendit në vend. Zoti Barr u përgjigj se “Në Portland, gjykata po sulmohet”, duke shtuar më pas “ne (zyrtarët federalë) jemi atje për të mbrojtur gjykatën”, përkundër përpjekjeve të protuestuesve për t’i vënë flakën. “Nëse autoritetet e shtetit do ta mbronin objektin, nuk do na duhej të ishim atje”, tha zoti Barr. Në deklaratën e tij në hapje të seancës, zoti Nadler tha se “ne shohim gjithë forcën e plotë të qeverisë federale kundër qytetarëve që demonstrojnë për të drejtat e tyre civile. Është e pashembullt që Departamenti i Drejtësisë të kërkojë aktivisht konflikt me qytetarët amerikanë, me një pretekst të pajustifikueshëm”.
Ai e akuzoi zotin Barr se po ndihmon dhe lehtëson “dështimet më të mëdha të këtij presidenti”, duke përqafuar “një zgjerim të rrezikshëm të kompetencave të pushtetit ekzekutiv”. Kongresmeni republikan Jim Jordan i Ohajos tregoi një video të gjatë të trazirave të dhunshme në Shtetet e Bashkuara, që pasonte një montazh të disa zyrtarëve demokratë, përfshirë rivalin e presidentit Trump për zgjedhjet e nëntorit, Joe Biden, që i quanin ato “protesta paqësore”. Disa anëtarë demokratë të komisionit e akuzuan zotin Barr se po bënte lojën e presidentit, duke shkurtuar dënimin për korrupsion politik të mikut të zotit Trump, disa orë pasi presidenti u shpreh kundër kohëzgjatjes së dënimit. Zoti Barr tha se dënimi i rekomanduar për 67 vjeçarin Stone, shtatë deri në nëntë vjetl ishte shumë i gjatë. Stone përfundimisht u dënua me 40 muaj burg por zoti Trump e fali atë.
Ligjvënësit republikanë e mbrojtën zotin Barr. Kongresmeni Louie Gohmert nga Teksasi i tha atij “më vjen keq për abuzimin ndaj jush”. Në Portland protestuesit janë përleshur me forcat federale. Oficerët federalë janë akuzuar se janë përpjekur të largojnë njerëzit nga zona e demonstratave pa ndonjë shkak gjë që ka përshkallëzuar tensionet. Zyrtarët federale e kanë mbrojtur vendimin për dislokim si të nevojshëm për të mbrojtur pronat federale siç janë gjykatat e qyteteve. Një grup kryetarësh bashkish përfshirë kryetarin e Bashkisë së Portlandit Ted Wheeler i kërkuan nëpërmjet një letre Kongresit të veprojë për të frenuar përdorimin e forcave federale duke shtuar se “veprimet e ndërmarra javët e fundit nuk kanë vend në këtë komb”.
Ligjvënësit mund të pyesin zotin Barr dhe për një tjetër incident mes oficerëve federale dhe protestuesve ai i 1 qershor në sheshin Lafayette, shumë pranë Shtëpisë së Bardhë. Oficerët i përzunë protestuesit nga parku duke hedhur tymuese e spërkatur ata me piper pak përpara se Presidenti Trump, i shoqëruar nga zoti Barr e të tjerë zyrtarë, të shkonin në një kishë aty pranë. Ky incident është subjekt i një seance tjetër dëgjimore të martën në Kongres përpara një tjetër komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve./VOA/