Nga New Yorku në Los Angeles, dhjetëra mijëra protestues paqësorë kanë marshuar me thirrjet për drejtësi pas vdekjes së afro-amerikanit Xhorxh Flloid i i cili u vra nga një polic i bardhë. Lëvizja “Jetët e njerëzve me ngjyrë vlejnë”, në këtë fundjavë të dytë të demonstartave u përqëndrua masivisht në Uashington.
Rrugët u tejmbushën me njerëz, në qëndër të qytetit, përreth Shtëpisë së Bardhë e cila u barrikadua me gardh metalik. Fatmirësisht skenat e tmerrshme të dhunës së pak ditëve më parë, u zëvendësuan me kërcim dhe përqafime.
Dallimet racore duket se janë një problem shqetësues në të gjithë botën. Në Berlin, rreth 15,000 protestues marshuan me parrullat “Ndaloni brutalitetin e policisë” dhe “Unë nuk mund të marr frymë”. Rreth 20,000 njerëz u mblodhën në Mynih ndërsa mijëra të tjerë protestuan në Frankfurt dhe Këln.
Edhe në Londër, dhjetëra mijëra njerëz marshuan me thirrjet “Heshtja është dhunë” dhe “Ngjyra nuk është krim”. E njëjta situatë edhe në Paris dhe në shumë qytete të tjera. Protestat ndërkombëtare që pasuan vdekjen e 46 vjecarit Flloid kanë ngritur alarmin e përhapjes së koronavirusit të ri. Vetëm një pjesë e vogël e demonstruesve janë treguar të kujdesshëm në mbajtjen e maskave.