Qyteti Riçmond, kryeqyteti i Konfederatës gjatë pjesës më të madhe të Luftës Civile në Amerikë, hoqi monumentin e fundit të Konfederatës.
Monumentet e tjera të Konfederatës, autoritetet e qytetit i kishin hequr pas nisjes së protestave për drejtësi racore që pasuan vrasjen e afrikano-amerikanit, George Floyd në vitin 2020.
Monumenti i gjeneralit të forcave të konfederatës, A.P. Hill gjendej në mes të një kryqëzimi me trafik të ngarkuar, pranë një shkolle, ku aksidentet janë të shpeshta. Heqja e këtij monumenti ishte më e ndërlikuar pasi eshtrat e gjeneralit janë të varrosura poshtë tij.
Monumenti do t’i jepet Muzeut të Historisë së Afrikano-Amerikanëve dhe Qendrës Kulturore të Virxhinias.
Në shtator, avokatët e pasardhësve të largët të gjeneralit Hill ranë dakord që eshtrat e tij të zhvendoseshin në një varrezë në qytetin Culpeper, afër vendit ku lindi gjenerali Hill. Por, ata thanë se pronësia mbi monumentin duhet t’u kalonte atyre. Ata shpresonin ta zhvendosnin monumentin në një vend ku janë zhvilluar beteja gjatë Luftës Civile, gjithashtu në Culpeper.
Në tetor, mediat raportuan se anëtari i Gjykatës së Qarkut, David Eugene Cheek Sr. vendosi që zyrtarët e qytetit, jo pasardhësit, të vendosin se ku do të shkonte monumenti pasi të hiqej nga Riçmondi./VoA