SHBA-të thonë se Rusia po kërkon të shfrytëzojë tensionet ndëretnike në Ballkanin perëndimor me qëllim destabilizmin dhe pengimin e integrimit të rajonit në institucionet euroatlantike.
“Është e qartë se Rusia nuk mbështet të ardhmen e njëjtë evropiane për shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, që ata vetë kanë zgjedhur dhe që njerëzit në rajon e meritojnë.”
Një zëdhënës i DASH tha se pikërisht për këtë arsye Uashingtoni po punon për rritjen e bashkëpunimit dhe avancimin e reformave në shtetet e rajonit.
“Kjo do të pakësojë mundësinë për ndikimin malinj rus dhe do të sjellë paqe, stabilitet dhe prosperitet për rajonin. Lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës vë në pah urgjencën dhe rëndësinë e këtyre prioriteteve.”
Gjatë javëve të fundit, udhëheqësit politikë në Prishtinë kanë shtuar paralajmërimet se Serbia po përgatitet për një sulm apo provokim ndaj Kosovës. Dhe çdo herë që flitet për Serbinë lidhja bëhet me aleatin e saj Rusinë.
Zëdhënësi i departamentit amerikan të shtetit nënvizoi gjithashtu se Uashingtoni mbetet i shqetësuar lidhur me rrezikun për përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës dhe kërcënimet për shkëputje në Bosnje e Hercegovinë.