Shtetet e Bashkuara pritet të kapërcejnë 10 milionë rastet me COVID-19 që nga fillimi i pandemisë ndërsa vendi po përballet me një rritje të infeksioneve nga më problematiket se në çdo vend tjetër të botës.
Gjatë javës së kaluar në SHBA numri i infeksioneve u rrit mesatarisht me më shumë se 100 mijë në ditë, ose dyfishi i infeksioneve ditore të shënuara një muaj më parë. Ndërkohë rreth 900 njerëz po vdesin çdo ditë.
Më të goditurat rezultojnë shtetet qendrore, të cilat po përballen me nivele rekord shtrimesh në spital.
Presidenti i zgjedhur Joe Biden po takohet me anëtarët e një grupi pune mbi koronavirusin ndërsa po përgatit hapat që administrata e tij do të ndërmarrë për të luftuar pandeminë pas marrjes së detyrës në janar. Takimi do të pasohet nga një fjalim i tij rreth planeve të administratës së tij për të mposhtur virusin.
Po sot (e hënë) Nënpresidenti Mike Pence, i cili drejton masat e administratës aktuale ndaj koronavirusit, pritet të mbledhë grupin e punës për herë të parë që nga 20 tetori.
Infeksionet me COVID-19 janë rritur edhe në pjesë të tjera të botës, përfshirë Evropën, ku disa qeveri po zbatojnë masa bllokuese në një përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e virusit. Në nivel botëror numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus që nga fillimi i pandemisë ka arritur në më shumë se 50 milionë, ndërsa ai i vdekjeve më shumë se 1.2 milionë. Sipas të dhënave rreth 33 milionë njerëz janë shëruar në mbarë botën.
Ndër vendet me infeksionet më të larta në raport me numrin e popullsisë gjatë javës së kaluar ishin Republika Çeke, Belgjika, Franca, Austria dhe Italia.
Zvicra ka gjithashtu një nivel të lartë infeksionesh dhe të dielën më shumë se 200 rezervistë të ushtrisë u vunë në ndihmë të spitaleve që ndodhen në vështirësi për shkak të pacientëve të shtruar rishtazi.
Portugalia, një tjetër vend i goditur rëndë, nga sot (e hënë) nis zbatimin e masave të ndalim-qarkullimit në disa zona gjatë orëve të mbrëmjes.
Në Poloni, rritja e rasteve me COVID-19 ka shtyrë kryetarin e bashkisë së Varshavës të anulojë marshin vjetor me rastin e ditës së pavarësisë të planifikuar të mbahej të mërkurën.
Ndërkohë qeveria e Argjentinës ka arritur së fundmi një marrëveshje me kompaninë AstraZeneca për të siguruar dozat e një vaksine potenciale. Marrëveshja u arrit për rreth 22 milionë doza që pritet t’i jepen këtij vendi në gjysmën e parë të vitit 2021.