SHBA/ Të shtëna me armë në një shkollë në Kolorado, tre të plagosur, autori qëllon veten

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mesditën e së mërkurës, rreth orës 12:24 (me kohën lokale) në shkollën e mesme “Evergreen” në Kolorado, SHBA.

Sipas mediave, autori i dyshuar, nxënës i shkollës, pasi qëlloi dhe plagosi tre shokë klase, u vetëvra.

Zyra e sherifit konfirmoi vdekjen e të dyshuarit në një postim në mediat sociale të mërkurën në mbrëmje.

Autoritetet nuk e kanë bërë publik identitetin e tij.

Një nga studentët e plagosur ndodhet në gjendje kritike për jetën. Në një deklaratë, Guvernatori i Kolorados, Jared Polis, tha se ishte “i shkatërruar” nga të shtënat.

Pas të shtënave shkolla u mbyll.

“Kjo është gjëja më e frikshme që mund të mendoni se mund të ndodhë ndonjëherë”, tha zëdhënësja e zyrës së sherifit, Jacki Kelley, në një konferencë për shtyp.

Kelley tha se nuk mund të jepte detaje të tjera rreth autorit të dyshuar, përfshirë moshën ose gjininë e tij.

Leave a Reply