Ligjvënësit amerikanë thonë se kërcënimi nga ekstremizmi i brendshëm mbetet i lartë gati një muaj pasi protestuesit pro-Trump sulmuan Kapitolin, çka rezultoi në vdekjen e pesë personave. Kërcënimet ndaj sigurisë pritet të vazhdojnë edhe pas gjyqit në Senat ndaj ish-Presidentit Donald Trump.
Pasojat e protestës së dhunshme të 6 janarit në Kapitol po ndihen këtë javë, ndërsa i bëhen nderimet e fundit oficerit të vrarë të Policisë së Kapitolit dhe Senati përgatitet për gjyqin e javës së ardhshme ndaj ish-Presidentit Donald Trump për nxitje rebelimi, pas pretendimeve të tij të pabazuara për manipulim të zgjedhjeve.
Por ekstremizmi buron nga më shumë sesa zemërimi për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, paralajmëruan ligjvënësit të enjten.
Bennie Thompson, Kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare të Dhomës së Përfaqësuesve
“Fakti i pakundërshtueshëm është se kërcënimi i terrorizmit të krahut të djathtë dhe më konkretisht, i nacionalistëve të bardhë është rritur prej vitesh. Administrata e mëparshme nuk arriti ta trajtonte këtë kërcënim në mënyrë të duhur“, tha Bennie Thompson, Kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare të Dhomës së Përfaqësuesve.
Ndaj më shumë se 160 njerëzve në të gjithë vendin janë ngritur akuza për rolin e tyre në protestën e dhunshme dhe pritet të bëhen qindra arrestime të tjera.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare ka lëshuar një paralajmërim të pazakontë mbi kërcënimin nga ekstremizmi i brendshëm, rritjen e nacionalizmit të bardhë dhe besimin në teoritë e konspiracionit që analistët paralajmërojnë se mund të manipulohen nga kundërshtarët e huaj.
Christopher Rodriguez, Agjencia e Sigurisë Kombëtare dhe Menaxhimit të Emergjencave
“Rusia në veçanti, po përdor mjete disa dekada të vjetra të veprimit të fshehtë për të ndezur flakët e konfliktit kulturor këtu në Shtetet e Bashkuara. Armiqtë tanë të huaj e bëjnë këtë duke krijuar ose përforcuar rrëfime të rreme që godasin vetë zemrën e demokracisë, se zgjedhjet tona janë manipuluar, se sistemi ynë është i korruptuar dhe duhet të përmbyset, dhe se zërat radikalë që bëjnë thirrje për dhunë ose kryengritje kanë pikëpamje legjitime“, thotë Christopher Rodriguez nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare dhe Menaxhimit të Emergjencave.
Sulmi ndaj Kapitolit, i planifikuar pjesërisht në platforma si Facebook dhe Parler, gjithashtu ka rikthyer debatin mbi nevojën për të vendosur standarde më të ashpra për mediat sociale.
Elizabeth Neumann, Ish-Ndihmës Sekretare e Departamentit të Sigurisë Kombëtare
“Idetë ekstremiste janë integruar dhe normalizuar përmes shprehjes së lirë të pikëpamjeve politike, teorive të konspiracionit dhe komunikimeve që përdorin humor për të maskuar rrezikun e pranisë së këtyre ideve. Si pasojë, ka gjasa të mëdha për dhunë në muajt e ardhshëm ndaj një numri objektivash më të buta. Unë besoj se në 10 deri 20 vitet e ardhshme ne do të luftojmë terrorizmin e brendshëm që i ka rrënjët dhe frymëzimin tek veprimet e 6 janarit“, thotë Elizabeth Neumann, ish-ndihmës Sekretare e Departamentit të Sigurisë Kombëtare.
Por ekstremistët e së majtës ekstreme duhet të konsiderohen gjithashtu pjesë e kërcënimit të brendshëm, thonë disa republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve.
“Qoftë ekstremizmi i krahut të majtë, si ai që pamë në Portland, Siatëll, Kenosha, madje edhe këtu në Uashington, apo ekstremizmi i krahut të djathtë, si ai në Kapitol më 6 janar, janë çështje serioze, dhe duhet të trajtohen“, tha ligjvënësi republikan Jeff Van Drew.
Trupat e Gardës Kombëtare pritet të qëndrojnë në kryeqytetin amerikan deri pas gjyqit ndaj ish-presidentit Trump dhe më tej për të mbrojtur institucionet nga kërcënimet e vazhdueshme të brendshme./VOA