Një sulm me armë në një sallon masazhi në Seattle ka lënë një person të plagosur ndërsa autori është në arrati, teksa autoritetet thonë se nuk është i lidhur me masakrën në Georgia.
Në incident, një burrë me origjinë aziatike mbeti i plagosur, por është jashtë rrezikut për jetën, raportonte rrjeti Fox News.
Policia tha se është vënë në ndjekje të dy të dyshuarve që tentuan të grabisin sallonin rreth orës 21.00, por nuk ishte e qartë nëse autorët arritën të merrnin para apo sende të tjera nga biznesi.
Viktima e plagosjes ishte një punonjës i sallonit South Bay Massage i cili u dërgua në spital për kurim.
Autoritetet në Seattle thanë se nuk ka sinjalizime se sulmi kishte motivim racor ndërsa hetimet vazhdojnë.
Sulmi vjen dy ditë pasi Robert Aaron Long akuzohet se ka vrarë tetë njerëz, gjashtë prej tyre gra, në një sulm të shumëfishtë në tre sallone masazhi në Atlanta.
Autoritetet thanë se Long kreu aktin pasi fajësonte sallonet për varësinë e tij ndaj seksit, por ndoshta sulmi ishte motivuar pjesërisht nga urrejtja ndaj të huajve dhe emigrantëve. Gjashtë nga viktimat ishin gra me origjinë aziatike, ndërsa u vranë gjithashtu një burrë e një grua të bardhë.