Pavarësisht reagimeve të ashpra për sulmin jo fort dinjitoz ndaj senatorit republikan John McCain, Donald Trump duket se e ka rritur mbështetjen e tij mes republikanëve.
Në një anketë telefonike kombëtare të realizuar së fundmi, Trump mbështetet nga 18% e republikanëve, ndërsa ish-guvernatori i Floridës, Jeb Bush është i dyti me 15%, brenda marzhit të gabimit në votim.
Guvernatori i Uiskonsinit, Scott Walker ka një mbështetje prej 10% në mesin e republikanëve. Në këtë anketë, Donald Trump ka një rritje prej 6 pikësh nga anketa e muajit qershor, ndërsa mbështetja për Bush dhe Walker nuk ka pësuar ndonjë ndryshim të madh.
Ndërkohë, 14 kandidatët e tjerë republikanë janë nën 10%, për sa i përket mbështetjes nga partia në garën për të zgjedhur kandidatin për zgjedhjet presidenciale të 2016-s.
Edhe pse Trump aktualisht kryeson garën, të paktën sa i përket anketës së fundit, duket se avantazhi i tij nuk është se jep shumë siguri, pasi 51% e votuesve republikanë mendojnë se është ende herët për të përcaktuar kandidatin e republikanëve në zgjedhje. Në mesin e këtij grupi, Bush ka një mbështetje prej 14%, ndërsa Trump mbështetet nga 13% e tyre.
Rrebeshi i kritikave nga republikanët ndaj Donald Trump, të cilat duket se nuk kanë ndikuar në këtë sondazh, erdhi pas komenteve ofenduese të biznesmenit, i cili duket se po përpiqet të tërheqë sa më shumë vëmendjen me shpotitë e tij. Miliarderi tha se McCain, ish-pilot i forcave ajrore i mbajtur rob për 5 vjet në Vietnam, nuk ishte hero lufte.
Ndërsa në radhët e demokratëve, Hillary Clinton është favorite, ndonëse Sanders ka rritur mbështetjen e tij në sondazhin e fundit krahasuar me atë të muajit të kaluar. Gati 56% e votuesve demokratë mbështesin Clinton, ndërsa përkrahja për Sanders nuk shkon më shumë se 19%, pjesa tjetër janë ende të pavendosur.
Sondazhi është kryer nga CNN/ORC International mes 22 dhe 25 korrikut dhe në të morën pjesë 1.017 të rritur, duke përfshirë 898 votues të regjistruar. Marzhi i gabimit në këtë sondazh është plus ose minus 3.5%.