Të paktën 8 persona humbën jetën pas përplasjes së 20 makinave më njëra-tjetrën në një autostradë të Utah-s, në SHBA, ku dukshmëria ishte ulur në nivele të rrezikshme për shkak të një stuhie rëre.
Zyrtarët vendas thonë se gjithçka nisi kur drejtuesit e automjeteve filluan të ngadalësonin për shkak se nuk shihnin, duke nxitur atë që përshkruhet si një “reaksion zinxhir”. “Asnjeri nuk shihte dot gjë. Dhe ashtu, papritur përplasesh me një makinë tjetër, është e tmerrshme”, tha efektivi Andrew Battenfield për New York Times.
Aq e madhe ishte shkalla e aksidentit, sa autoritetet nuk e patën menjëherë të qartë sesa njerëz ishin dërguar në spital dhe një pjesë e autostradës u mbyll për disa orë. Pas raportimeve për aksidentin e rëndë, policia e Utah dërgoi forca të shumta në zonë.
Mësohet se disa nga të lënduarit janë në gjendje kritike për jetën. Stuhia e rërës që u bë shkas për fatkeqësinë, vjen në një kohë kur ky shtet është përballur me paralajmërime të forta për mot ekstrem, përfshirë përmbytjet e befasishme dhe stuhitë, që ngrenë shumë pluhur e dhe nga toka e thatë.