Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka mbërritur në Ukrainë për të shprehur përkrahjen e Uashingtonit përballë “agresionit” të Rusisë.
“Unë jam këtu për të riafirmuar mbështetjen tonë të palëkundur për sovranitetin, integritetin territorial dhe aspiratat euro-atlantike të Ukrainës-dhe për të theksuar angazhimin tonë që Ukraina të zhvillojë kapacitete për të penguar agresionin e mëtejshëm rus”, shkroi Austin në rrjetin social Twitter. Vizita në Ukrainë zhvillohet pas qëndrimit të tij në Gjeorgji.
Në Kiev ai do të takohet me presidentin, Volodymyr Zelenskiy dhe ministrin e Mbrojtjes, Andriy Taran. Bisedimet do të fokusohet në mbështetjen e Uashingtonit për Ukrainën në konfliktin e saj me separatistët e përkrahur nga Rusia. Që nga prilli i vitit 2014 luftimet kanë shkaktuar më shumë se 13.000 viktima.
Konflikti në Ukrainën lindore shpërtheu pas aneksimit nga Moska të Gadishullit të Krimesë. Veprimi është kritikuar ashpër nga bashkësia ndërkombëtare.
Por, udhëtimi i Sekretarit Austin do të shërbejë gjithashtu si “një mundësi për të diskutuar përparimin e Ukrainës në zbatimin e reformave të industrisë së mbrojtjes.
Ukraina, së bashku me Gjeorgjinë, kërkojnë anëtarësimin në NATO, gjë që Moska e kundërshton ashpër.
Vizita e Austin vjen më pak se dy muaj pasi Zelenskiy dhe Taran udhëtuan në Uashington për të takuar presidentin amerikan, Joe Biden.
Administrata e Bidenit është zotuar t’i japë Ukrainës një ndihmë ushtarake shtesë prej 60 milionë dollarë, e cila do të çonte ndihmën totale amerikane vetëm për këtë vit në më shumë se 400 milionë dollarë.
Pas Ukrainës, Austin do të udhëtojë në Rumani para se të shkojë në takimin e ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, më 21-22 tetor./REL/