Një shfaqje cirku ka përfunduar në një tragjedi në Manta të Ekuadorit. Teksa të pranishmit po përgatiteshin për të shijuar shfaqjen, 2 persona të armatosur kanë qëlluar me armë, ku viktimë ka mbetur një politikan dhe gruaja e tij.
Cristian Nieto ishte një politikan i Revolucionit Qytetar, partia e lidhur me ish-presidentin Rafael Correa. Gruaja e Nietos, Nicole Burgos, njihej si Soy Pipo. Ngjarja e rëndë ka ndodhur teksa njerëzit prisnin në radhë për të hyrë në cirk. Nieto dhe Burgos kishin dy fëmijë të vegjël.
Siç raportojnë mediat e huaja, dy persona të armatosur hynë në vend nga pjesa e pasme e cirkut, iu afruan ligjvënësit, hapën zjarr dhe u larguan nga dera kryesore. Sipas raportimeve, u qëllua me armë zjarri të paktën 12 herë. Autorët e krimit, pasi i dhanë fund jetës së politikanit dhe bashkëshortes së tij, u larguan me një makinë që i priste në rrugën kryesore. Policia ka gjetur mjetin e djegur në një lagje të qytetit.
Plumbat lanë disa të plagosur, mes tyre edhe gazetaren që po transmetonte drejtpërdrejtë dhe në momentin e ngjarjes dëgjohej të thoshte: Kam nevojë për ndihmë, një ambulancë, një ambulancë, ju lutem. Jam plagosur në krah.
Manta, qyteti ku ndodhi vrasësja, konsiderohet si një nga qytetet kryesore për pastrim parash në Ekuador.