Midis nesh
Shembulli më i mirë i nënçmimit të vetvetes, padyshim janë teatrot tona në përgjithësi dhe sidomos ato shqiptare në Maqedoninë e Veriut, në veçanti. Autorët shqiptarë (aq më pak ata që jetojnë e veprojnë në Shkup, Tetovë, Gostivar, Kumanovë, Strugë, Kërçovë) që moti janë lënë anash, sepse, me gjasë, sipas atyre që drejtojnë këto teatro, ata ose nuk dinë të shkruajnë ose janë të papërshtatshëm për shumë arsye.
Kështu, në vend të autorëve shqiptarë, politika e këtyre teatrove e qendrave kulturore, është orientuar në autorë të huaj. Të realizosh projekte gjysmake shqiptar në emër të kulturës shqiptare, vërtet është çështje e pandershme, mbase edhe kundër-produktive.
Në vend se çdo projekt të ketë vulën e plotë shqiptare, “drejtorët” shqiptarë, “regjisorët” shqiptarë e “aktorët” shqiptarë me kënaqësinë më të madhe pajtohen që këto projekte të kenë vulën gjysmake ose siç thuhet, të jenë “as mish as peshk”. Krejt kjo bëhet për shkak të qenët i varur nga lëmosha e palës tjetër, e cila realizon projekte me qindra mijëra euro, kurse shqiptarët pajtohen të bëjnë projekte me thërrime të vogla, me nja 10 mijë euro.
Prandaj që t’u iket honorarëve për autorët shqiptarë, ata zgjedhin rrugën më të shkurtë dhe gjithë puna bëhet sa për sy e faqe. Gjithashtu, është fakt se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut akoma nuk janë çliruar nga mentaliteti provincial, gjë që ka bërë të pajtohen me mjete mëshire.
Tash së fundi u bë e ditur se Teatri Shqiptar i Kumanovës që vepron në kuadër të Qendrës “Trajko Prokopiev”(teatër që është në varshmëri të një subjekti tjetër), ka filluar me përgatitjet e shfaqjes “Burri i gruas sime” të autorit kroat Miro Gavran, ndërkaq për këtë shfaqje janë angazhuar vetëm tre aktorë. Të gjithë janë shqiptarë (regjisori, asistenti i regjisorit, dy organizatorët, inspicienti, skenografi, muzika nuk dihet, por me siguri edhe muzika nuk do ta ketë autorësinë shqiptare etj), por ai kryesori, autori, nuk është shqiptar.
Bartësit e këtyre projekteve dhe, sidomos ata dy-tre sugjeruesit (kaq janë në Maqedoninë e Veriut) se me çfarë të konkurrohet, nuk skuqen fare nëse nesër propozojnë të realizohet edhe ndonjë dramë me autorë serb. Me rëndësi është që autori të mos jetë shqiptarë.
Nëse bartësit e këtyre projekteve nuk dinë si të punohet, atëherë le të shohin pak te pala maqedonase, e cila për autorët e vet nuk kurse asgjë, vetëm e vetëm që vula të jetë maqedonase, sepse kjo palë është e vetëdijshme se vetëm në këtë mënyrë ndërtohet, kultivohen dhe ruhen vlerat që përforcojnë identitetin.
Fatkeqësisht, shqiptarët, për interesa të ngushta klanore, partiake e provinciale, kanë vendosur që t’i kontribuojnë identitetit kozmopolit…./HEJZA/