1136 viktima dhe gati 40 mijë raste, spitalet në vështirësi
Në buletinin e fundit të autoriteteve të shëndetësisë në vend, krahas 978 rasteve të reja me COVID-19 janë shënuar edhe 26 viktima brenda 24 orëve që çon në 1136 numrin total të pacientëve që kanë humbur betejën me koronavirusin.
Për herë të parë numri i viktimave tejkalon atë të të shëruarve. Në statistikën e fundit u shënuan vetëm 24 të shëruar.
Opozita në Maqedoninë e Veriut vlerëson se është koha që autoritetet të përballen me përgjegjësinë. Ata kanë vendosur një transparent në Portën “Maqedonia” në Shkup ku kanë publikuar shifrat.
“Këto janë shifrat që tregojnë pasqyrën reale. Kemi 39.760 raste me COVID-19 dhe 1136 viktima. Kemi 2 miliardë borxhe respektivisht mbi 60% të BPV-së. Kemi 40.000 të papunë nga Marsi deri në Tetor dhe kemi veto për eurointegrimet e vendit”.
Në spitalet covid të vendit për momentin trajtohen afro 1000 pacientë, gjë që ka shkaktuar mbingarkesën e kapaciteteve spitalore.
Tashmë janë akomoduar reparte dhe klinika tjera për pacientët e infektuar me covid. Shkupi me 7114 dhe Tetova me 981 raste aktive konsiderohen si qytetet më të rrezikuara për transmetimin e virusit.