Shirat e dendur kanë përmbytur rrugët në Londër pasi stuhitë goditën jugun e Anglisë.
Policisë iu desh të mbyllte një rrugë në jug-perëndim të Londrës, ku tre autobusë ishin bllokuar nga uji. Pasagjerët janë detyruar të zbresin pasi autobusi filloi të mbushej me ujë.
Agjencia e Mjedisit ka lëshuar pesë paralajmërime për përmbytjet në pjesët jugore të Anglisë dhe 19 alarme të tjera për përmbytjet, të cilat përfshijnë pjesë të Uellsit.
Shoferët në Walthamstow, në veri-lindje të Londrës, braktisën automjetet e tyre ndërsa disa banorë janë gjetur në vështirësi pasi uji ka përshirë dhe shtëpitë e tyre.
Ekipet e emergjencës kanë shkuar menjëherë për t’i ardhur në ndihmë banorëve të prekur.
Gjatë javës së ardhshme, moti i paqëndrueshëm do të vazhdojë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë qytetarët të bëjnë kujdes./Klan News