Situata në Antalia paraqitet e stabilizuar, por zona turistike e Mugla vijon të digjet
Moti duket se po favorizon Turqinë për shuarjen e disa vatrave zjarri, teksa vendi është në një betejë me flakët për më shumë se një javë. Zyrtarët në qytetin bregdetar turk të Antalias deklaruan se flakët janë nën kontroll në provincën jugperëndimore pas reshjeve të fundit që janë regjistruar aty.
Sipas parashikimeve të motit reshjet e dendura të shiut pritet të vazhdojnë edhe në qytetin Manavgat, i cili ishte një nga më të prekurit nga zjarret. Ndërsa shiu i rrëmbyer zgjati 15 minuta, trafiku i automjeteve u bllokua për pak kohë.
Ndërsa në qytetin Erzincan breshëri zgjati më shumë se një orë dhe dëmtoi të mbjellat. Pemët dhe tokat e punuara u dëmtuan gjithashtu, pak para kohës së korrjes duke shkatërruar perimet e frutat.
Por ndërsa situata duket e stabilizuar në Antalia dhe Managvgut situata vijon të jetë kritike në zonën turistike të Mugla, ku të paktën deri më tani tre lagje janë urdhëruar të evakuohen.
Ndërkohë prokurorët në Turqi kanë filluar një hetim mbi hashtagun e vendosur në mediat sociale që kritikon reagimin e qeverisë ndaj zjarreve shkatërruese të vendit. Përdorimi i hashtagut HelpTurkey akuzohet se ka përhapur ankth dhe frikë tek qytetarët.
Pothuajse në të njëjtën kohë, Autoriteti i Mediave në Turqi ka deklaruar se do të gjobisë kanalet televizive nëse transmetojnë pamje të drejtpërdrejta të zjarreve ose të transmetojnë histori “që provokojnë frikë dhe shqetësime në publik”.