Një organizatë kriminale shqiptare është shkatërruar në Europë, gjatë një operacioni që është zhvilluar së fundmi në disa shtete, më konkretisht në Belgjikë, Itali, Holandë, Austris, Gjermani dhe Zvicër. Në operacionin e 4 qershorit, u arrestuan në total 17 persona si anëtarë të kësaj organizate, ndërsa dy të tjerë ishin vënë në pranga më herët në Holandë dhe Zvicër.
Hetimet nisën fillimisht nga policia belge, e cila pasi ra në gjurmët e organizatës kriminale shqiptare, kërkoi edhe bashkëpunimin e autoriteteve të tjera në Europë, për vënien në pranga të anëtarëve.
Nga hetimet, rezultoi se kjo organizatë merrej me importin dhe eksportin e kokainës dhe heroinës në vende të ndryshme të Europës, duke përdorur automjete që i kishin modifikuar dhe kishin krijuar një pjesë të fshehtë.
2 nga anëtarët e organizatës që janë arrestuar në Holandë dhe Zvicër po transportonin me makinë 36 mijë euro dhe 5 kilogramë kokainë dhe heroinë.
Nga hetimi rezultoi se organizata jo vetëm transportonte dhe shiste drogë, por bashkëpunonte edhe me një grup tjetër kriminal shqiptar për të grabitur drogën të klaneve rivale.
Kjo bandë sipas mediave të huaja kishte në dispozicion një arsenal armësh zjarri dhe në të kaluarën ishte përfshirë në një atentat të një rivali në Shqipëri.
Operacioni në 5 shtete u finalizua falë bashkëpunimit intensiv me EUROPOL dhe shërbime të ndryshme policore të huaja.