Poeti dhe përkthyesi nga Maqedonia e Veriut, Shkëlzen Halimi, nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Armagedoni” në Prishtinë, ka botuar këtë javë librin me poezi “Tingujt e hejbeve të vogla”. Sipas botuesit të këtij libri, i cili ka njoftuar se krijimtarinë e Shkëlzen Halimit e ka përcjellë kohë të gjatë, sidomos poezinë e tij, ky është prej librave më të mirë të tij. “Prej tetë librave pararendës të tij me poezi, i nënti ky me radhë, kurse i dyti botuar nga shtëpia botuese ‘Armagedoni’, i kam lexuar pesë prej tyre dhe, duke vështruar korpusin e tij poetik, në asnjërin libër më e plotë, më me përmbajtje, më me figurshmëri, më e bukur nuk vjen fjala e tij poetike shqipe sesa në këtë libër. Po qe se doni dëshmi, bëni krahasime mes librave poetikë të tij sa për ta dhënë një konstatim të tillë”, ka shkruar Armagedoni në kapakun e pasmë të librit të Halimit.
Librin e gjeni në librarinë “Dukagjini” dhe “Artini” në Prishtinë.