Madje edhe një vaksinë efikase kundër coronavirusit e cila pritet të prodhohet deri në pranverën e vitit të ardhshëm, nuk do të mund t’ua rikthej jetën e qytetarëve në normalitet, kanë paralajmëruar një grup shkencëtarësh britanikë nga Shoqëria Mbretërore, shkruan BBC.
Vaksina shpesh konsiderohet si “kupa e shenjtë” që do t’i jep fund pandemisë, por shkencëtarët në raportin e tyre të përpiluar pretendojnë se duhet të “jemi” real lidhur me atë se çfarë do të arrij vaksina – dhe kur, transmeton Telegrafi.
Ata theksojnë se masat kufizuese do të duhej gradualisht të zbuteshin, sepse ndoshta mund të kalojë edhe një vit derisa të prodhohet vaksina e shumëpritur dhe përfolur. Aktualisht në botë janë duke u zhvilluar mbi 200 lloje të vaksinave kundër coronavirusit.
“Vaksina ofron shpresë të madhe për një fund potencial të pandemisë, por e dimë se historia e zhvillimit të vaksinës është përplot me mos suksese”, ka deklaruar mjekja Fiona Culley nga Instituti Kombëtar për zemër dhe mushkëri pranë kolegjit mbretëror në Londër.
Pavarësisht se ekziston një optimizëm i qeverisë britanike se disa qytetarë do të munden sivjet të vaksinohen, kurse vaksinimi masiv do të mund të ndodhte në fillim të vitit – Shoqëria Mbretërore paralajmëron se bëhet fjalë për një proces të gjatë.
“Edhe kur vaksina të jetë e gatshme për përdorim, kjo nuk do të thotë se për një muaj do të munden të gjithë të vaksinohet – po flasim për gjashtë, nëntë apo edhe një vit. Nuk ka të dhëna, se jeta në mënyrë të befasishme papritmas gjatë marsit do t’i kthehet normalitetit”, ka deklaruar profesori Nilay Shah, shef i inxhinierë kimike pranë universitetit mbretëror të Londrës.
Hulumtuesit gjithashtu paralajmërojnë se ekzistojnë shumë sfida, dhe se do të nevojitet më shumë kohë që të marrin të gjitha përgjigjet e nevojshme në çështjet sa i përket imunitetit afatgjatë. /Telegrafi/