Përfaqësuesit e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor janë takuar të premten në një konferencë rajonale në Shkup, për të diskutuar rreth qasjes së përbashkët drejt reformave të nevojshme në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
Zëvendësministri i Integrimit të Shqipërisë, Gentian Elezi tha se, sfidat e vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit në BE janë shumë të ngjashme dhe bazohen në 3 shtyllat kryesore: funksionimi i shtetit të së drejtës, qeverisja ekonomike dhe reformimi i administratës publike.
“Në rastin e Shqipërisë, aktualisht ne sfidën kryesore e kemi në reformën e sistemit të drejtësisë dhe, së shpejti, besojmë se do të miratojmë paketën dhe strategjinë, e cila mundëson reformën në këtë sistem. Kjo më pas mundëson edhe hapjen e negociatave për Shqipërinë”, tha Gentian Elezi, zëvendësministër i Integrimit në Shqipëri.
Zyrtarë të lartë të Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjës, për herë të parë kanë diskutuar bashkërisht rreth strategjisë së zgjerimit të Bashkimi Europian dhe kanë analizuar vërejtjet edhe rekomandimet e Komisionit Europian për të 6 vendet.
“Konferenca e sotme është një nismë, që fillon në Shkup dhe ka të bëjë me diskutimet lidhur me raportin e progresit dhe strategjinë e zgjerimit. Qëllimi është, që të këmbejmë përvojat lidhur me procesin e reformave dhe të jemi sa më efektivë në këtë proces”, tha Famir Besimi, zv.kryeministër i Maqedonisë për integrimet europiane.
Pjesëmarrësit në konferencën e Shkupit vlerësuan se, alternativa e integrimit në BE është më e mira për gjitha vendet e rajonit. Në këtë kuadër, ata paralajmëruan se do të takohen përsëri gjatë vitit për të shkëmbyer mes tyre përvoja rreth plotësimit të kritereve të nevojshme për anëtarësim.