Debati publik rreth Strategjisë së Zgjerimit të BE-së i organizuar nga Këshilli Nacional për Eurointegrime pranë Kuvendit, edhe një herë ka nxjerr në pah qëndrimet e ngjashme të partive maqedonase kur janë në pyetje kërkesat e shqiptarëve.
Deputetët e VMRO-DPMNE dhe LSDM-së kanë kundërshtuar njëzëri kërkesën e PDSH-së opozitare që listës së Këshillit Nacional prej 6 konkluzioneve t’i shtohet edhe një pikë që do të konstatojë shkeljen serioze e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni dhe nevojën për avancimin e tyre. Vota e BDI-së pro kësaj kërkese nuk mjaftoi që e njëjta të miratohet.
Merale Ferati, deputete e PDSH-së: Kërkesa jonë ka të bëjë me përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, ndarjen proporcionale të buxhetit, përfaqësim të drejtë dhe adekuat, lejimi i simboleve shtetërore si himni, stema, flamuri dhe depolitizim të gjyqësorit dhe shqyrtim i rasteve të montuara politike. Kërkojmë që ky propozim i ynë të vihet në votim.
Ermira Mehmeti, deputete e BDI-së: E mbështes nismën, sugjerimin dhe frymën e asaj që ju e kërkoni si konkluzion, por nëse konstatohet se nuk ka vend në konkluzionet e Këshillit Nacional, atëherë mendoj se bashkërisht mund të punojmë që ato t’i fusim në propozim-rekomandimet, gjegjësisht konkluzionet të cilat shpresojmë që të dalin në një frymë konsensuale gjatë seancës së nesërme.
Deputetët maqedonas të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së thanë se kërkesa për avancimin e të drejtave të shqiptarëve nuk e ka vendin në mesin e konkluzioneve të Këshillit Nacional për Eurointegrime rreth Strategjisë së Zgjerimit të BE.
Lidija Dimova, deputete e LSDM-së: Unë nuk kam asnjë problem me kërkesën tuaj, por nuk e ka vendin këtu sepse konkluzionet kanë të bëjnë me Strategjinë e BE-së për zgjerim.
Ilija Dimovski, deputet i VMRO-DPMNE-së: Ne asnjëherë nuk dëshirojmë t’i shmangemi problemeve të shqiptarëve, por nuk mund t’i vendosim ato mbi problemet e maqedonasve, turqve, romëve dhe qytetarëve të tjerë. Politikanët e përgjegjshëm veprojnë kështu. Unë jam kundër kërkesës suaj.
Pas rrëzimit të kërkesës së tyre, deputetët e PDSH-së lëshuan sallën dhe konkluzat e Këshillit Nacional për Eurointegrime u sollën pa votat e tyre. Gjatë debatit rreth strategjisë së zgjerimit të BE-së, zv.kryeministri Fatmir Besimi tha se lajm i mirë për Maqedoninë është se zgjerimi i Bashkimit Eeropian vazhdon të mbetet në axhendën e Brukselit.