Një hetim i autoriteteve belge ka zbuluar një rast korrupsioni brenda Parlamentit Evropian. Në pranga kanë rënë deri tani 4 persona ndërsa mbrëmjen e së premtes është shoqëruar për t’u marrë në pyetje në Bruksel, eurodeputetja greke Eva Kaili. Ajo është një nga 14 nënkryetarët e Parlamentit Evropian. Bashkëshorti i saj është një nga të arrestuarit.
Të tjerët janë ish-eurodeputeti italian Pier-Antonio Panzeri, një ish-asistent i tij, një drejtues sindikatash dhe kreu i një OJQ-je. Sipas kryeprokurorit belg në hetimet për korrupsion është përfshirë edhe një vend Gjirit. Mediat belge shkruajnë se bëhet fjalë për Katarin.
Sipas hetuesve dyshimet janë se ky vend synonte të ndikonte në vendimet ekonomike dhe politike të Parlamentit Evropian duke paguar shuma të mëdha parash ose duke u ofruar dhurata të mëdha palëve të treta me pozicione të rëndësishme politike dhe/ose pozicioni strategjike brenda këtij institucioni. Gjatë operacionit u sekuestruan 600 mijë euro kesh, kompjutera dhe telefonë celularë.