Një bombë e Luftës së Dytë Botërore ka shpërthyer në Poloni. Ajo ka qenë e fundosur në një liqen dhe shpërtheu teksa zhytësit e ushtrisë po përpiqeshin ta çaktivizonin.
Kjo bombë gjigande e pagëzuar me emrin “Tallboy” u hodh nga Forcat Ajrore të Britanisë së Madhe në vitin 1945 dhe ishte fundosur në një liqen afër qytetit Swinoujscie në Poloninë veriperëndimore.
Me një peshë 5, 400 kilogramë dhe 2, 400 kilogramë eksploziv brenda ajo shkaktoi një tërmet në zonë.
Më shumë se 750 qytetarë që jetonin në afërsi të kanalit që lidh Detin Baltik me lumin Oder në kufirin e Polonisë me Gjermaninë, u avakuuan nga ushtria gjatë operacionit.
Fatmirësisht njoftohet se asnjë nga zhytësit nuk është lënduar, pasi kanë qenë në një distancë sigurie në momentin kur ndodhi shpërthimi.
Bomba “Tallboy” u krijua nga inxhinieri britanik i aeronautikës Barnes Wallis dhe u përdor nga ushtria britanike për të shkatërruar asete të mëdha të kontrolluara nga nazistët.