Nga helmimi i agjentit të dyfishtë Sergei Skripal në Britani, tek grushti i shteti në Malin e Zi apo goditjet në Siri, të gjitha kanë një të përbashkët: pas tyre thuhet se qëndron krahu i armatosur i inteligjencës ushtarake të Moskës, që sulmon në hije.
Gënjeshtra, propagandë, dhe një spiunazh të egër, siç e përshkruajnë mediat italiane; kjo është mënyra sesi punon njësia misterioze 29155. Ajo madje thuhet se qëndron edhe pas aktit të sabotazhit në Ceki në vitin 2014, kur u hodh në erë një depo municionesh, e që solli së fundi edhe dëbimin e 18 diplomatëve rusë. 7 vjet më parë, dy persona kishin mbërritur me avion nga Moska dhe ishin kthyer mbrapsht 5 ditë pas shpërthimeve.
Po këta njerëz mendohet se qëndronin pas helmimit të Skripalit dhe të bijës. Agjensitë e sigurisë vihen në kërkim të Alexander Petrov e Ruslan Boshirov, por në të vërtetë bëhet fjalë për Alexandër Mishkin dhe Anatoly Chepiga, thonë raportet në shtypin e huaj, pjesëtare te shërbimit ushtarak rus, Gru.
Sabotazhi, sipas autoriteteve, ishte një sinjal i dërguar trafikantëve të armëve që furnizonin Ukrainën apo rebelet sirianë. Njësia 29155 thuhet të jetë përfshirë edhe në tentativën për grusht shteti në Malin e Zi, por dosja e saj është edhe më e gjerë e së fundi, po dalin emra të agjentëve të Moskës edhe në Holandë, Serbi e Itali.