Ekspertet e OBSH-së, vizitojnë laboratorin e Wuhanit
Ekipi hetimor i OBSH-së, që ndodhet këto ditë në Wuhan të Kinës, jep shpresa për zbulimin e origjinës së Covid-19, çka mund të hedhë dritë mbi shumë pikëpyetje, duke nisur nga përgjegjësitë deri tek rrugëdalja nga pandemia globale.
Edhe pse grupi prej 10 ekspertësh të virologjisë ka qenë thuajse hermetik me deklaratat për mediat gjatë hetimeve të nisura një javë më parë, disa detaje i ka bërë publike pjesëtari britanik i ekipit, Piter Dashak.
“Ata po ndajnë me ne të dhëna që askush nuk i ka parë më herët. Po flasin hapur për çdo shteg të mundshëm. Me të vërtetë po arrijmë diku dhe besoj të këtij mendimi janë edhe anëtarët e tjerë të ekipit”.
Dashak nuk përjashton as mundësinë që Covid-19 të ketë dalë nga laboratori i virologjisë së Wuhanit. Ai shprehet se ka bashkëpunuar me këtë institut për 15 vite dhe e njeh mirë mënyrën e funksionimit,
Edhe pjesëtarët e këtij instituti janë marrë në pyetje nga ekipi i OBSH-së, që ka vizituar edhe tregun e kafshëve të egra, një prej vatrave të mundshme të Covid-19.
E teksa thotë se janë në rrugë të mbarë për zbulimin e origjinës, Dashak paralajmëron:“Jam i mendimit që ky virus do të qëndrojë me ne përgjithmonë…”.