Infektimet po rriten edhe në Portugali
Vendet europiane po shohin me shqetësim qarkullimin e mutacionit indian të koronavirusit, që mund të shkaktojë një tjetër valë Covid-i në prag të nisjes së flukseve turistike në gjithë kontinentin.
Ditët e fundit, edhe Portugalia po shfaq shenja rritjeje të infektimeve me COVID-19 siç duket edhe në këtë grafik. Kryeqyteti Lisbonë është vatra e re, ku 60% e rasteve të fundit sipas autoriteteve janë infektuar me variantin Delta, siç njihet ndryshe mutacioni indian.
Portugalia është një ndër destinacionet më të preferuara të turistëve nga vendet e tjera të unionit. Deri më tani, 1/5 e popullsisë është vaksinuar kundër koronavirusit, një shifër megjithatë tepër e ulët për të mbrojtur popullsinë nga përhapja e këtij varianti.
Shifra të larta ditore vazhdojnë të shfaqin edhe Britania e Madhe dhe Rusia. Të rrethuar nga vatra të mutacionit indian, qeveritë e vendeve të tjera europiane si Gjermania, Franca apo Italia, po shqyrtojnë mundësinë e frenimit të procesit të lehtësimit të masave anti-Covid. Rritje të rasteve me këtë mutacion ka edhe në Shtetet e Bashkuara.
OBSH këshilloi javën e kaluar që të përshpejtohet procesi i vaksinimit për t’i bërë ballë valës së radhës.