Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi një buxhet shtesë prej 8 milionë e 200 mijë eurosh për furnizimin e vendit me mjete ajrore luftarake pa pilot të prodhuara nga Turqia.
Zhvillimi në fjalë erdhi pas vizitës në Turqi të ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Bledar (Bledi) Çuçi dhe zyrtarëve ushtarakë.
Bledi Çuçi i dha sinjalet e blerjes pas vizitës së tij në fabrikën e prodhimit të kompanisë “Baykar” në Stamboll.
“Ne po vlerësojmë mundësinë e përdorimit të sistemeve turke të mjeteve ajrore luftarake pa pilot për qëllime civile dhe ushtarake në Shqipëri”, tha ai pas vizitës në fabrikën e prodhuesit të dronëve “Bayraktar TB2”.
Kurse javën e kaluar, në ceremoninë e inaugurimit të ambienteve të reja të Drejtorisë Vendore të Policisë së Qarkut Shkodër, ministri Çuçi u shpreh me këto fjalë: “Po nisim një kapitull të ri për modernizimin e Policisë së Shtetit. Ky 4-vjeçar do të shënojë hapin më të madh në lidhje me teknologjinë, që nga ngritja e aftësive në luftën kundër krimit kibernetik e deri tek kontrolli i plotë i territorit me dronë superinteligjentë.”
Buxheti shtesë i sapomiratuar nga Kuvendi i Shqipërisë përfshin gjithashtu një sërë investimesh në infrastrukturë, të cilat do të kryhen së bashku me Turqinë.
Mes këtyre investimeve vlen të përmenden ndërtimi i Unazës së Madhe dhe Teatrit Kombëtar, si dhe projekti për rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve në Tiranë.