Vëmendja e shqiptarëve është përqendruar e gjitha në Elbasan Arena, aty ku “Kuqezinjtë” do të përballen me Portugalinë e Cristiano Ronaldo-s në një sfidë që ka në dorë pjesën më të madhe të ëndrrës së shqiptarëve për kualifikim në Euro 2016.
Por mijëra kilometra në lindje luhet një tjetër sfidë që na intereson drejtpërdrejtë. Në Jerevan, armenët vendas presin nordikët danezë të Morten Olsen. Takimi zhvillohet në orën 18:00, çka i jep kohë Shqipërisë që të futet në fushën e lojës me rezultatin e mësuar të kësaj sfide.
Një fitore e danezëve do t’i ngjiste ata përkohësisht në vendin e parë në grup, ndërsa Shqipëria do të mbetej në vendin e tretë me 3 pikë diferencë dhe me një ndeshje për t’u luajtur me një rival tejet të fortë.
Nëse Armeni-Danimarkë mbyllet në barazim, atëherë kuqezinjve do t’u mjaftonte një barazim me Portugalinë për të qenë sërish me hapin e danezëve në renditje. Skenari më i mirë është humbja e Danimarkës përballë armenëve. Një fitore e Armenisë do të hiqte një barrë të madhe të presionit në kombëtaren shqiptare në një sfidë aspak të lehtë me Portugalinë.