Shqipëria ka përfunduar në kopertinën e revistës prestigjioze “New York Magazine”. Për herë të parë, në Tiranë në muajin gusht është zhvilluar një lloj kirurgjie e rrallë në tru, teksa pacienti është i zgjuar dhe i vetëdijshëm gjatë të gjithë procedurave, që mjekët ndjekin hap pas hapi.Karl Ove Knausgaard, shkrimtari i famshëm norvegjez u bë dëshmitar i kësaj kirurgjie, eksperiencë të cilën vendosi ta rrëfejë për lexuesit e prestigjiozes amerikane. Në rrëfimin e tij, autori të njeh me personazhet që e shoqëruan në rrugëtimin në Shqipëri, duke dhënë njëkohësisht edhe përshtypjen që mori nga vendi ynë.Doktor Henry Marsh është një nga boshtet kryesore në rrëfimin e tij, pasi ishte doktori që mori përsipër të kryente për herë të parë në Shqipëri të ashtuquajturën “kirurgji në tru, teksa pacienti do të mbetej i zgjuar”.E njohur me terminologjinë “awake craniotomy” nga anglishtja, ajo është procedura që heq një lloj tumori në tru, që është aq i kamufluar saqë duket si truri vet. Tumore të tilla prekin më shpesh moshat e reja dhe për to, fatkeqësisht nuk ka kurë. Pa kirurgji, 50 për qind e pacientëve vdesin brenda 5 viteve, 80 për qind brenda 10 vitesh, ndërsa një operacion u zgjat jetën atyre nga 10 deri në 20 vite, por ka raste edhe më shumë.Në operacionin e doktor Marsh asistuan edhe mjekët shqiptarë, Prof. Dr. Mentor Petrela dhe Dr. Florian Dashi. Ekipi në Shqipëri ishte përgatitur prej 6 muajsh dhe kishte zgjedhur dy raste, që ishin veçanërisht të përshtatshme për të demonstruar metodën.Pacienti i parë që iu nënshtrua procedurës kirurgjikale ishte Ilmi Hasanaj. 33-vjeçari jeton në periferi të Tiranës dhe është i martuar, por nuk ka fëmijë. Me profesion murator, teksa ishte duke punuar, krahun e tij të majtë e zunë disa të dridhura, gjë që për mjekët është një nga shenjat e para që jep tumori në tru.Pasi përfunduan procedurën mjekësore, doktorët donin të siguroheshin duke pyetur pacientët…Gjithçka duket se kishte shkuar me sukses. Në mënyrë që kirurgu të jetë në gjendje të bëjë dallimin midis tumorit dhe indeve të shëndetshme të trurit, pacienti mbahet zgjuar gjatë operacionit dhe gjatë procedurës truri mbahet i stimuluar me një sondë elektrike, në mënyrë që doktori të shohë nëse dhe sesi reagon pacienti.Ndërkohë, pacientja e dytë që u operua të nesërmen ishte Gjinovefa Mërxira. Vetëm 21 vjeç nga Burreli, vajza për ironi të fatit ishte studente mjekësie. Ajo vuante nga një dhimbje e madhe koke, deri në momentin që simptomat nisën të rëndoheshin. Edhe diagnoza e Gjinovefës ishte e njëjtë, tumor në tru.Gjithçka shkoi me sukses edhe për të, vetëm se rasti i saj – sipas Dr. Marsh, – ishte edhe më i vështirë sesa Ilmiu, pasi masa tumoriale ndodhej më poshtë trurit. Pacientët qëndruan të shtruar për disa ditë në spital, teksa ishin të parët që me ta u aplikua një kirurgji e tillë në Shqipëri.Ndër rreshta, Knausgaard thotë se, nëse ka një dobësi, ajo është epoka komuniste, veçanërisht kultura që fshihej prapa “perdes së hekurt”, siç e quan ai. E ndërsa vizitës së shkrimtarit në Shqipëri i vinte fundi, ai nuk mund të largohej nga vendi ynë pa vizituar Galerinë Kombëtare të Arteve, për të parë nga afër pikturat që datonin nga epoka komuniste./ Top Channel