Shqipëria pret Samitin e NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike

Masa në trafik rrugor, për mbarëvajtjen e eventit

Sot 9 tetor dhe nesër, në Shqipëri, mbahet Samiti i NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike, me pjesëmarrjen e ekspertëve dhe përfaqësuesve të lartë nga vendet anëtare dhe partnerët e Aleancës.

Ky takim i rëndësishëm nisi këtë të enjte, si një forum për të ndarë njohuritë, përforcuar bashkëpunimin dhe krijuar strategji të përbashkëta për t’u përballur me sfidat e vazhdueshme në fushën e sigurisë kibernetike.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dërgoi një mesazh të rëndësishëm nga kryeqyteti shqiptar.

Ai tha se Aleanca është më e vendosur se kurrë për të forcuar kapacitetet e saj në hapësirën kibernetike dhe për të përballuar çdo kërcënim që sfidon sigurinë kolektive.

“NATO do të bëhet më e fortë në hapësirën kibernetike”, deklaroi Rutte në një video-mesazh drejtuar pjesëmarrësve të konferencës. “Mbrojtja jonë do të përforcohet dhe do të jemi më rezistentë ndaj sulmeve”

Ai theksoi se NATO disponon një rrjet unik për mbrojtje, që e vendos Aleancën në një pozitë të favorshme për të reaguar me efikasitet ndaj sulmeve kibernetike, të cilat po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara dhe të rrezikshme.

“NATO është një aleancë e vlerave të përbashkëta, dhe reagimi ynë do të jetë gjithmonë i menjëhershëm dhe i bazuar në norma”, nënvizoi Sekretari i Përgjithshëm.

Ndërsa për kryeministrin, Edi Rama, Shqipëria është një nga vendet më të avancuara të NATO-s në aspektin e infrastrukturës digjitale dhe mbrojtjes kibernetike, gjatë fjalës së tij në Konferencën për Mbrojtjen Kibernetike të NATO-s që po zhvillohet në Tiranë.

“Është kënaqësi t’ju mikpres në Tiranë në këtë ngjarje të rëndësishme, ku diskutojmë mbi një fushë që tashmë është ndër më jetësoret për sigurinë e vendeve tona – hapësira kibernetike”, u shpreh kreu i qeverisë.

Duke iu referuar sulmit kibernetik të ndodhur ndaj Shqipërisë, Rama tha se Tirana ka ditur t’ju mbijetojë sulmeve. “Ne e dimë mirë sesi ndihesh kur je viktimë e një sulmi të tillë. Ne u goditëm, por i mbijetuam atij sulmi, dhe kjo vetëm falë investimeve tona në një infrastrukturë moderne dhe të sigurt”.

Në kuadër të organizimit të këtij eventi, Policia e Shtetit ka vendosur masa të veçanta për kufizimin e lëvizjes në disa zona të kryeqytetit. Nga ora 07:00 e sotme deri në orën 15:00 të nesërme, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve dhe kalimi i këmbësorëve në disa rrugë kryesore.

Ndalesat do të prekin bulevardin “Dëshmorët e Kombit” (nga semafori pranë Presidencës deri në sheshin “Nënë Tereza”, duke përfshirë edhe sheshin), rrugën “Gjergj Filipi”, si dhe aksin që lidh hotel “Marriott” me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Për këmbësorët, gjatë kohës së konferencës do të jetë i mbyllur trotuari nga hyrja e hotel “Rogner” deri te Pallati i Kongreseve. Këto masa janë marrë për të garantuar sigurinë dhe rrjedhshmërinë e eventit.

Edhe kryeministri Edi Rama do të jetë i pranishëm në Konferencën e Tretë të Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s, që mbahet në Tiranë.

Shqipëria është vendi mikpritës i delegacioneve nga 32 vendet anëtare të Aleancës, të përfaqësuara nga ministritë e jashtme, e të mbrojtjes.

Leave a Reply