Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Kirby tha të martën se Serbia ka filluar tërheqjen e forcave serbe përgjatë kufirit me Kosovën.
“Që kur deklaruam publikisht se kishim parë forcat serbe përgjatë kufirit, i kemi parë se kanë filluar t’i tërheqin ato forca nga aty. Kjo është diçka pozitive, do të ndihmojë për të shtensionuar situatën. Nuk do t’i eliminojë tensionet, por do ta zbusë situatën,” u tha zoti Kirby gazetarëve në Uashington.
Reagimi nga Uashingtoni për tërheqjen e forcave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën vjen disa ditë pasi Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësimin për një grumbullim të madh ushtarak nga Serbia përgjatë kufirit me Kosovën, që sipas tyre përfshinte artileri të avancuar, tanke dhe njësi ushtarake të mekanizuara. Shtetet e Bashkuara e quajtën këtë grumbullim “të pashembullt”.
Zoti Kirby tha se Shtetet e Bashkuara nuk planifikojnë të shtojnë numrin e trupave paqëruajtëse amerikane në KFOR, ndërkohë që NATO-ja ka paralajmëruar se do të rrisë numrin e trupave në kuadër të misionit të saj në Kosovë pas sulmit të grupit të armatosur serb në pjesën veriore të vendit më 24 shtator./VOA