Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki u tha gazetarëve se presidenti “ka urdhëruar hapjen e një analize të shpejtë strategjike” lidhur me sulmin që ndikoi tek operacionet e kompanisë JBS në Australi dhe Amerikën e Veriut.
Presidenti Biden do të takohet me homologun rus në Gjenevë më 16 qershor në një kohë tensionesh mes dy fuqive botërore lidhur me ndërhyrjet ruse në zgjedhjet amerikane, shkeljen e të drejtave të njeriut dhe agresionin rus në Ukrainë.
Një filial i kompanisë braziliane JBS njoftoi qeverinë amerikane se kishte marrë një kërkesë për pagesë parash në sulmin që besohet se e kishte origjinën nga Rusia, tha zëvendës zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre.
“Shtëpia e Bardhë është e angazhuar drejtpërdrejt me qeverinë ruse mbi këtë temë dhe po përcjell mesazhin se shtetet përgjegjëse nuk strehojnë kriminelë të hapësirës kibernetike,” tha zonja Jean-Pierre.
Ndërkaq, komapnia JBS thotë se ka bërë “përparim të ndjeshëm” për të zgjidhur sulmin kibernetik që ndikoi tek operacionet në Amerikën e Veriut dhe Australi.
Shefi ekzekutiv i filialit për Shtetet e Bashkuara tha se parashikon që “shumica e fabrikave përpunuese për mishin e derrit, viçit, pulës dhe nënprodukteve të mishit” të jenë kthyer në punë që të mërkurën.