Shtëpia e Shëndetit Publik në Shkup vendosi që 4 mijë testet e shpejta bëhen falas. Madje për 40 testet e shpejta që u bënë të hënën në Poliklinikën e Gjorçe Petrovit do tu rikthehen nga 1 mijë denarë. Ky vendim erdhi pasi që në Ministrinë e Shëndetësisë arritën donacion 13 mijë teste të tjera të shpejta, të cilat përmes “termini im” do të jenë falas për pacientët me sigurim shëndetësor.
Shtëpia e Shëndetit – Shkup
“ Shtëpia e shëndetit tashmë ka rënë dakord me furnizuesin për të tërhequr testet e blera më parë dhe për të përdorur vetëm testet e dhuruara nga Ministria e Shëndetësisë, të cilat do të jenë falas për qytetarët. Përcaktimi i terminëve për këto teste fillon nga e marta.”
Por, nga Ministria e Shëndetësisë thonë se 13 mijë testet e ardhura si donacion akoma nuk kanë filluar të shpërndahen dhe mbahen ne depo. Zëvendësministri i Shëndetësisë Hasani tha testet e shpejta do të jetë prioritet vetëm për klinikat publike.
“Testet e shpejta i kemi për qëllim t’i shpërndahen nëpër reparte që kanë nevojë për pastrimin e shpejtë të situatës. Do të thotë, nëse vjen një pacient, ne do të duhet patjetër që ta pranojmë atë pacientë, për mos ta mbajtur shumë gjatë në dhomën e izolimit derisa të shkoj testi në ISHP për rezultatet e PCR, por ma shpejtë të pastrojmë situatën a është pacienti pozitiv apo negativ- deklaroi Ilir Hasani, Zëvendësministër i Shëndetësisë.
Ndërkaq, testimet e tjera PCR janë shtuar për 23% në javën e fundit, përkatësisht 17,300 sosh janë bërë për detektimin e Sars-Cov-2. Sipas raportit të ISHP nga 26 tetor deri më 1 nëntor janë regjistruar 5,800 raste të reja, apo 70% raste më shumë se një javë më parë. Gjithashtu, këtë periudhë u raportuan 88 vdekje nga 21 qytete. Grup mosha më e prekur është 30-39 vjeç ose 22%, të moshuarit mbi 60 vjeç arrijnë në 20% të infektimeve, ndërsa numri më i ulët u regjistrua tek fëmijët e moshës 0-9, përkatësisht 1.6%. Për 700 më shumë është edhe numri i të shëruarve brenda 7 ditëve të kaluar.