Një shtetas i Maqedonisë së Veriut është kapur në Bullgari me 33 kilogram kanabis. Doganierët bullgarë e zbuluan drogën në makinën që drejtohej nga shtetasi i Maqedonisë me inicialet R.R, 58 vjeç.
Sipas BTA, në makinën e tipit “KIA” me targa të Maqedonisë së veriut pas kontrollit në kufi më 23 dhjetor, janë gjetur 76 qese plastike të mbushura me kanabis në një bunker të veçantë të makinës, përcjell INA.
Autoritetet doganore bullgare theksuan se vlera e drogës së kapur është afër 70 mijë euro. Ndaj autorit të kësaj sasie të lëndës narkotike dje nga Gjykata e Haskovo është shqiptuar masa e paraburgimit. 58 vjeçari kishte thënë se po udhëtonte transit për në Turqi. (INA)