Shtetet e Bashkuara, të shqetësuara nga ‘aktiviteti provokues ushtarak’ i Kinës pranë Tajvanit 

Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga aktiviteti ushtarak i Kinës pranë Tajvanit, të cilin Shtëpia e Bardhë e quajti të hënën “provokues” dhe “destabilizues”.

“Ne do të vazhdojmë të ndihmojmë Tajvanin për t’u vetëmbrojtur në përputhje me angazhimet tona të mëparshme dhe në përputhje me politikën tonë të një Kine”, tha përmes një deklarate Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë.

Shtatëdhjetë e një avionë të forcave ajrore kineze, përfshirë avionë luftarakë dhe dronë, hynë në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit gjatë 24 orëve të fundit, tha qeveria tajvaneze sot. Kjo konsiderohet shkelja më e rëndë e raportuar deri më tani.

Kina, e cila pretendon se Tajvani është territor kinez, tha se kishte kryer të dielën “ushtrime sulmi” në det dhe hapësirën ajrore rreth Tajvanit si reagim ndaj asaj që tha se ishte provokim nga ishulli i qeverisur në mënyrë demokratike me përkrahjen e Shteteve të Bashkuara.

Tajvani, i cili kundërshton me forcë pretendimet territoriale të Kinës, tha se ushtrimet treguan se Pekini po shkatërronte paqen rajonale dhe po përpiqej të frikësonte popullin e Tajvanit.

Një zyrtar i lartë i Tajvanit i njohur me çështjet e sigurisë në rajon i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” se Tajvani vlerësoi se Kina kreu këtë “provokim” ushtarak për të shprehur zemërimin ndaj një ligji të ri amerikan që rrit ndihmën ushtarake për Tajvanin.

Personi, i cili nuk pranoi të identifikohej pasi informacioni nuk ishte bërë publik, tha se gjatë ushtrimeve, forcat ajrore të Kinës dërguan avionë luftarakë nga disa zona në të gjithë vendin për të kryer sulme të simuluara ndaj luftanijeve tajvaneze dhe amerikane.

Zyra kineze për “Çështjet e Tajvanit” nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Zyra e presidentes së Tajvanit, Tsai Ing-wen tha se presidentja do të mbajë një takim të nivelit të lartë të sigurisë kombëtare, mëngjesin e së martës, për të diskutuar forcimin e sistemit të mbrojtjes civile të ishullit, e pasuar nga një konferencë shtypi ku do të bisedohet mbi masat e reja të mbrojtjes civile.

Deklarata nuk dha detaje, por ministria e mbrojtjes ka thënë se po shqyrtonte zgjatjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak përtej katër muajve, pasi lufta në Ukrainë dhe rritja e tensioneve me Pekinin rigjallëruan diskutimin se si t’i përgjigjen presionit ushtarak kinez.

Sa më shumë të bëjmë përgatitje, gjasat do të jenë më të vogla për përpjekje të nxituara agresioni. Sa më të bashkuar të jemi, aq më i fortë dhe më i sigurt do të bëhet Tajvani”, tha zonja Tsai në një ceremoni ushtarake të hënën.

Gjatë shkeljeve të fundit, disa avionë kinezë, kryesisht avionë luftarakë, kaluan për pak kohë vijën mesatare në ngushticën e ndjeshme të Tajvanit përpara se të ktheheshin në Kinë, sipas të dhënave të ofruara nga ministria e mbrojtjes e Tajvanit. Shtatë anije të marinës kineze u zbuluan gjithashtu pranë Tajvanit, tha ministria.

Taipei ka shprehur shqetësimin për misione të vazhdueshme të tilla nga forcat ajrore kineze gjatë dy viteve të fundit.

Tajvani dërgoi avionë luftarakë për të detyruar avionët kinezë të largohen, ndërsa sistemet raketore vëzhguan fluturimin e tyre, tha ministria.

Kina ka rritur presionin e saj diplomatik, ushtarak dhe ekonomik në vitet e fundit në ishullin e vetëqeverisur për të pranuar sundimin e Pekinit. Qeveria e Tajvanit thotë se dëshiron paqe, por do të mbrohet nëse sulmohet. /VOA

Leave a Reply