Ish-ministri Ilir Beqaj është lënë në burg nga GJKKO, pas arrestimit të tij nën dyshime se ka kryer korrupsion dhe ka abuzuar me fondet e BE për SASPAC, në kohën kur ka qenë në drejtim të këtij institucioni.
Por bashkë me Beqajn në këtë skemë korruptive me fondet e BE, janë edhe disa persona të tjerë të cilët po ashtu janë nën hetim. Në dosjen e Prokurorisë së Posaçme, të siguruar për Top Channel nga gazetarja Anila Hoxha, zbardhen detaje në lidhje me mënyrën si kanë vepruar personat në hetim, për përfitimin e këtyre fondeve.
Bëhet fjalë për një event të organizuar në prill të 2023, me emrin FESTA, e cila financohej nga fondet e SASPAK, e pikërisht në këtë event janë “kopsitur” dhe faturat fiktive përmes disa kompanive, që çonin më pas në restorantin Gzona që dyshohet se pronar i vërtetë është Ilir Beqaj, restorant i cili kishte ofruar shërbimin katering në këtë event.
Nga tërësia e veprimeve të kryera në kuadër të organizimit të eventit “Festa” rezulton se personi nën hetim Gazmend Haxhia në cilësinë e ortakut dhe administratorit të shoqërisë “Landëays International” ka paraqitur dokumente lidhur me pjesëmarrjen ne procedurën e prokurimit të cilat dyshohet se kanë përmbajtje të pavërtetë, të tilla si oferta (preventive) në lidhje me organizmin e eventit “Festa” si në kohë ashtu edhe në përmbajtje pranë SASPAC-ut, duke nënshkruar kontrata dhe raporte mbi zbatimin e kontratës të cilat dyshohet se janë bërë me qëllim përfitimin e shumës së parave, ndërkohe që shërbimi rezulton të jetë ofruar vetëm për shumën e parave që përbën ofrimin e darkës për datën 03 prill 2023.
Dijenia e tij mbi fiktivitetin e dokumentacionit rezulton nga fakti i paraqitjes së dokumentacionit (që lidhet me procedurën e prokurimit e cila do të duhej te ishte zhvilluar para datës 3 prill 2023) me nënshkrimin e tij që nuk përkon, nuk rakordon në aspektin kohor me kohën e zhvillimit të procedurës se prokurimit dhe organizimit të eventit.
Për sa i përket personit nën hetim Alfred Nikolla, drejtor ekzekutiv i “Landëays International”, nga provat e administruara, sipas SPAK ai rezulton se është angazhuar personalisht me organizimin e eventit FESTA duke qenë i pranishëm në organizimin e tij dhe duke pasur komunikime të vazhdueshme me të hetuarin tjetër Ermal Kurtulaj në lidhje me organizimin e darkës.
Po ashtu, nga këqyrja e kompjuterit të Ermal Kurtulaj rezulton se preventivi si pjesë e ofertëse është krijuar nga Alfred Nikolla si dhe gjatë periudhës maj-gusht 2023 Kurtulaj dhe Nikolla kanë pasur takime me njëri-tjetrin, dhe sipas bisedave te përgjuara, zhvilluar ne këtë periudhe kohore rezulton se takime kanë pasur në fokus bisedat e tyre për të rregulluar dhe nënshkruar dokumente.
Fakte të cilat tregojnë që Nikolla është marrë me dorëzimin e dokumenteve, duke e ditur që ato përmbajnë të dhëna të dyshuara si të pavërteta. Duke marrë parasysh që organizimi i darkës është realizuar në restorantin “Gzona”, duke u përzgjedhur pikërisht ky restorant, duke patur komunikime të shumta me Ermal Kurtulajn për këtë organizim tek ky restorant dhe lëshimi i faturave në të njëjtën kohë për të kryer pagesat respektive.
Fakti i interesimit të Ermalit nëse fatura është paguar (duke treguar dhe acarim për faktin që punonjësi i Gzonës nuk i kanë treguar për kalimit të pagesave, tregon se përzgjedhja e këtij restoranti nuk ka qenë rastësore, por ka qenë pjesë e marrëveshjes paraprake, e cila mbështet dyshimin për prezencën e një marrëveshje të kundërligjshme më natyre korruptive, sipas SPAK, të kërkuar dhe pranuar nga personat nën hetim Ermal Kurtulaj dhe Ilir Beqaj, të cilat rezultojnë të dhëna se mbartin interesa pasurore të veta mbi subjekti Gzona Reastorant.