Edhe një herë i vetëashtuquajturi “kryetar i BFI-së, Shaqir Fetai, paska vendosur që të “lulohet” me sukseset e huaja, si zakonisht deri më sot! Paska vendosur që të shesë kopalla në një konferencë shkencore kushtuar Revesitës “Hëna e Re” për të cilën nuk e ka as më të voglën meritë!
Nga Shaban Aziri
Këto ditë, me iniciativë skuthi të Shaqir Fetait do t’u mbakëka një konferencë shkencore me rastin e 35 vjetorit të funksionimit të Revistës “Hëna e Re”, ndërsa ata që e themeluan, që e mbajtën gjallë, që i dhanë fizioniminë e qartë, që e bënë me emër dhe të citueshme madje dhe nëpër studime shkencore, nuk marrin pjesë në konferencë, ndonëse të gjithë këta aktorë janë akoma gjallë! Ku di Shaqir Fetai se cilët ishin sfidat e tyre, ku e di Shaqir Fetai se nëpër çfarë kaluan ata që e mbajtën mbi kurrizin e vet “Hënën e Re”!
Më sa kam kuptuar, themeluesi i “Hënës së Re” (në shqip), reisul ulema H. Sulejman ef. Rexhepi, nuk është ftuar për të folur se si e ndau “Hënën e Re” nga revista periodike që dilte në tre gjuhë (shqip, maqedonisht, turqisht) duke e bërë revistë mujore në gjuhën shqipe! Shaqir Fetai nuk e di se kjo ndarje ishte projekt, se dikush e nxiti këtë projekt te efendi Rexhepi, se dikush hasi në përkrahje të parezervë te ef. Rexhepi për ta shtyrë projektin në fjalë deri në ditët e sotme! Ndoshta, dy drejtuesit e parë (Prof. Mahir Hasani dhe Hamdi Iljazi) mund të jenë ftuar por ama, bartësit e këtij projekti, zhvilluesit dhe ata që i dhanë mish e shpirtë këtij projekti, nuk janë ftuar! Kësisoj, Shaqir Fetai mendon se, në mungesë të tyre, më lehtë e ka t’ua vjedhë mundin, djersën dhe kontributin e tyre, duke i varur si xhingla-mingla rreth qafës së vet dhe duke u krekosur se “ja, ja, çfarë po bëjmë ne”!
Unë, autori i këtij teksti, kam qenë më së paku nja dhjetë vite kryeredaktor i Revistës “Hana e Re” dhe, përkundër këtij fakti të pamohueshëm, ja që nuk jam i ftuar në atë konferencë në të cilën, më kompetent se unë për të folur për këtë revistë, nuk mund të jetë asnjë i pranishëm aty!
Të gjithë mund të flasin për rolin e revistës nëpër sfera të ndryshme, të gjithë mund të flasin për kontributin e madh të revistës, të gjithë mund të flasin për revistën si për një dritare prej nga depërtonin rrezet e diellit duke hedhur dritë mbi mendimin shkencor e fetar që po kultivohej në gjitha trevat shqiptare! Mund të flitet për konceptin por ama jo edhe për politikat redaktuese dhe as për sfidat nëpër të cilat kaloi Revista!
Nuk është i ftuar Agim Mehmeti? Po a e di se sa shkrime të Shaqir Fetait i ka redaktuar e i ka rregulluar Agim Mehmeti për t’i botuar në “Hënën e Re”! Nuk është ftuar as Ajten Vllasaku, redaktore e shtojcës “Gruaja myslimane” që botohej në kuadër të Revistës!
Nuk është i ftuar Avni Halimi! A ka kuptm një konferencë shkencore kushtuar “Hënës së Re”, ndërsa aty nuk është i ftuar të flasë Avni Halimi! Krijues i konceptit të mirëfilltë të “Hënës së Re”, si revistë shkencore, fetare, kulurore, kështu siç del edhe sot e kësaj dite! Ne jemi ata që, me përkrahjen dhe me insistimin e Reisul Ulemasë, H. Sulejman ef. Rexhepit, për opinioin tonë e pasqyruam luftën që u zhvillua në Bosnjë-Hercegovinë si dhe në Kosovë, me çrast, për të qenë sa më pranë refugjatëve nga Kosova në kohë lufte, e shpeshtuam daljen dhe e bëmë dyjavore!
Ku guxon të flasë Shaqir Fetai në mungesë të Abaz ef. Islamit, i cili, si kryeredaktor i Revistës, denjësisht e vazhdoi këtë praktikë, duke dhënë një kontribut të pamohueshëm në tërheqjen e teologëve të vendit dhe jo vetëm për të publikuar shkrimet e tyre në “Hënën e Re”!
A e di Shaqir Fetai se në Revistën “Hëna e Re” janë pubikuar intervista e biseda zhvilluar me personalitete të ndryshme të vendit e ndërkombëtar! Cilët nga personalitetet me relevancë pranon të flasë për një media nëse paraprakisht nuk është i informuar për ndikimin e saj të fuqishme?
Shaqir Fetai mund të flasë vetëm për një fakt: si ia ka dalur të jetë sabotues i suksesshëm dhe mashtrues për refuzimin e revistës nga ana e imamlerëve dhe xhemateve! Shkoni nën shkallët e Myftinisë së Gostivarit dhe shikoni stogjet e “Hënës së Re” të kohës kur kjo Myftini drejtohej nga Shaqir Fetai! Në kohën kur ky farë “alimi” nuk ishte myfti, vetëm në Gostivar shpërndaheshin dhe shiteshin 1200 revista, në Tetovë 1400, në Shkup 1600! Sot, në kohën kur Shaqir Fetai dëshiron të flasë për “suksesin e vet”, “Hëna e Re” nuk shpërndahet as 1000 ekzemplarë në tërë vendin dhe, për t’u shitur as që bëhet fjalë!
Kjo konferencë shkencore është dashur të organizohet nga redaksia “Hëna e Re”, që do ta drejtonin aktorët kyç të revistës që nga themelimi e deri më sot, dhe jo ta organizojë BFI-ja sa për të pasur alibi që të pozojë Shaqir Fetai e të kënqet duke i përvetësuar djersën, mundin dhe suksesin e të tjerëve që janë më meritorët por që mungojnë në këtë Konferencë! Ndryshe, kujt do t’ia dedikojë këto 35 vite funksionim të kësaj Reviste! Sa është mediokritet aq më shumë është edhe turp për Shaqir Fetain, i cili, nëse nuk ia del të vjedhë e të “lulohet” me sukseset e huaja, sa për veten e tij, ai është i bindur se emri i tij nuk do të ngelë i shënuar as margjinave të historisë së BFI-së! Sado që ka emra që mund t’i urrejë Shaqir Fetai, me këtë veprim përveçse që mund ta ushqejë shpirtin e vet, nuk mund të bëjë asgjë në drejtim të fshirjes së atyre emrave! Ata emra, ata kontribues në projektin e suksesshëm “Hëna e Re”, janë legjenda të gjalla e të tillë do të ngelin derisa të ekzistojë BFI-ja! Sukseset e tyre janë evidente dhe të pamohueshme! Por, cilat janë sukseset e Shaqir Fetait? Të gjitha i dimë!
(Autori ka qenë kryeredaktor i “Hënës së Re” dhe drejtor i sektorit për informim dhe botim pranë BFI-së)