A u vodhën paratë e grumbullara nga xhemati ynë për të mbijeuarit nga tërmetet në Turqi dhe Siri! Aksioni i ndërmarrur nga BFI-ja e Shaqir Fetait nxori në pah edhe një herë tashmë të konstatueshmen: populli shqiptar, komuniteti mysliman në vend është jashtëzakonisht solidar dhe human si dhe, në planin organizativ, “institucionin” tashmë të shkërmoqur e nxori të desorganizuar, me njerëz që zhvasin, që vjedhin, që sabotojnë
Nga Halid Sadiku
“Bashkësia Fetare” e Shaqir Fetait qenka mbledhur dhe na paska diskutuar dy pika të rendit të ditës! Dy pika që dëshmojnë se Shaqir Fetai është tërësisht aut, se nuk ka lidhje si ftohet dhe pse ftohet organi më i lartë kolektiv, Rijaseti. Dy pikat për të cilat Shaqir Fetai ka shpenzuar pa hesap që të diskutohen (sepse paguhet rruga, mëditjet, pijet, hajet) janë “lëndë” e shërbimit për informim i cili, përmes një kumtese zyrtare i publikon të dhënat nga shërbimi financiar mbi atë se sa para u mblodhën në aksionin e thirrur për të tubuar para për të mbijetuarit në tërmetin e Turqisë dhe të Sirisë. Pikën e dytë e publikon si informacion se, kuota e sivjeme për haxhilerët nga Maqedonia e Veriut është 2000, pikërisht ai numër të cilin ish-reisul ulema, H. Sulejman ef. Rexhepi e pat arritur qysh në fillim të viteve ’90 e që vazhdoi deri në kohën e Kovidit. Pra, Shaqir Fetai ka qejf ta lozë rolin e përgjegjësit të shërbimit informativ.
Rijaseti nuk mblidhet për të diskutuar për pika të tilla, sepse nuk ka se çka diskutohet, sepse diskutimi mund të përcjellë qëndrime pro et contra vendimit të një organi më të lartë, në rastin konkret, të Mbretërisë së Arabisë Saudite. Me vendime të tilla njohtohet opinioni përmes një informate apo, organet e institucionit, përmes një letër-qarkore! Pra, pa debat!
Pa debat duhet të jetë edhe konformimi i shumës totale të tubuar në aksionin dedikuar të mbijetuarve në tërmetin e fundit të Turqisë dhe Sirisë që mori mbi 40 mij jetë njerëzish dhe la të plagosur e të pastrehë me qindra e mijëra e me miliona të tjerë. Çka ka këtu për t’u tubuar një organ e për të debatuar! Apo Shaqir Fetai dëshiron që me këtë farsë ta mbyllë konstatimin që po përflitet me të madhe në opinion se, mjerisht, edhe me këtë rast, Shaqir Fetai dhe honxho-bonxhot e tij kanë vjedhur me të madhe para të grumbulluar në emër të viktimave!
Po flitet se, së pari, paratë e tubuara të gjitha nëpër xhami, nuk janë dorëzuar komplet në organin e Myftinisë, sepse, secila “xhami” ka ndalur përqindjen e vet për t’i shlyer borxhet që i kanë, edhe pse çdo xhuma e ropën xhematin duke shtruar astra e duke kërkuar para “të paguajmë struj e uj”!
Një përqindje (prej 20%) janë ndalur edhe në organet e BFI-së dhe nuk i janë dorëzuar të gjitha paratë e grumbulluara në arkën qendrore!
A ka debatuar për këtë problematikë Shaqir Fetai! A ju ka thënë organeve dhe nëpunësve të vet se, të zhvatësh para nga ato të grumbulluarat për ndihmë e shpëtim, jo që nuk është e pëlqyeshme por është HARAM!
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Rijasetit është dashur të debatohet për një dukuri të frikshme që ka ndodhur në Myftininë e Gostivarit si dhe në shumë xhemate të tjerë! Myftinia e Gostivarit me gjithë Vrapçishtën, me mbi 100 mij banorë prej të cilëve rreth 90 % e popullatës myslimane, në 47 xhemate paska tubuar vetëm 58.350,oo euro!
Të bëjmë një digresion këtu: vetëm në dhjetë xhemate në territorin e Shkupit, si në: Xhaminë “Qose Kadi” (10.520 euro), në “Mustafa Pashë” (6.200 euro), Xhemati i Karshiakës (Moranë-Batincë – 8.246 euro), ai i Shanxhakut-Luboshit (4.350 euro), xhemati i Xhamisë “Isa Beu” (3.850 euro), xhamia “Feta Efendiu-Butel” (3.761 euro), Xhamia “Bedër”-Butel (3. 228 euro), Xhamia e Re, Çair (3. 792 euro), pra, vetëm në këto dhjetë xhemate të Shkupit janë mbledhur 44.000 euro! Ndërsa në 47 xhemate të Gostivarit vetëm 58.350 euro!!!
Në Çegranin e Shaqir Fetait, me mbi 12 mij banorë (sipas statistikës zyrtare), me 98% popullatë myslimane, mblidhen 3.092 euro dhe 400 franga zvicerane! Sa në Xhaminë “Feta Efendiu” të Butelit, me nja 500 xhematë!!!
Shaqir Fetai pëveç që ka dhënë “isharet” që të ndalen, mos të dorëzohen të gjitha paratë, përveç që ka dhënë “isharet” që të vidhen sa të munden, ai edhe sabotohet! Urdhëri i tij refuzohet! Kërkesa e tij nuk përfillet. Ai urrehet tmerrësisht, madje edhe në vetë katundin e vet! Nuk respektohet, refuzohet çdo iniciativë e tij, ose, përqeshet! Xhemati i Llakavicës i është përgjigjur me vetëm 25 euro!
Shuma e grumbulluar të cilën e bën transparente Shaqir Fetai nuk korrespondon as për së afërmi me shpirtin e madh, me shpirtin human dhe me humanizmin e myslimanëve të Maqedonisë së Veriut. Është dëshmuar katërcipërisht se shqiptarët e këtij vendi si dhe, përgjithësisht myslimanët, kur është në pyetje donacioni për bamirësi, japin deri edhe kafshatën e fundit të gojës. Shaqir Fetai sikur t’i tubonte vetëm nja 10 për qind të bisnesmenëve myslimanë të vendit, vetëm ata të rrugës së “Pllastikave” do të mblidheshin edhe më tepër se kjo shumë qesharake që e paraqet i gjori!
Dhe, krejt në fund, e dini se pse nuk e ka përfshirë edhe mërgatën tonë në këtë aksion, pse nuk i ka përfshirë edhe ata me të cilët çdo ditë abdalli nënshkruan “memorandume” bashkëpunimi e fotografohet si maniken i retarduar?! Sepse ata nuk ia dorëzojnë Shaqir Fetait, ata i donojnë drejt e në vend! Sepse, ju kujtohet vërshima në Hasan Beg? Komuniteti mysliman, bashkëatdhetarët tanë në Zvicër, mblodhën sollën 100 mij frankë. I dorëzuan në BFI, në Medrese u mblodhën nja 100 vetë, i morën në zarf nga nja 800 euro dhe, Mustafa Dauti kumtoi se “u shpërndanë ndihmat në mjete financiare që u tubuan në akcionin e BFI-së”! Natyrisht, në këtë do të reagojë përfaqësuesi i myslimanëve të Zvicrës duke dalur publikisht i revoltuar e duke nënvizuar se paratë që u ndanë ishin të vëllezërve shqiptarë e myslimanë nga Zvicra. U vodhën qindra mijëra para, u blenë makina lluksoze, u blenë dyqanë në “Cyti Mall”, u blenë banesa e çka jo tjetër! Natyrish, transparente u bë vetëm ajo pare e një pjese të myslimanëve tanë. Vjedhja nuk u bë transparente kurrë, siç nuk do të bëhet transparente as kjo vjedhje nga aksioni dedikuar të mbijetuarve në Turqi e në Siri. Nëse Myftinia e Gostivarit nuk ka vjedhur, nuk ka lejuar të zhvasë Irsal Jakupin e Shaqir Fetain, atëherë duhet të dalin e të tregojnë pse ky dështim katastrofal! Apo, thjesht, për shkak se në Gostivar refuzohet Shaqir Fetai, alias, “ORAO”!