Të paktën 300 rebelë janë vrarë nga sulmet ajrore të forcave qeveritare siriane, në operacionin për të liruar ushtarët që po mbaheshin të rrethuar në Idlib.
Lajmi është bërë i ditur nga televizioni shtetëror gjatë së dielës, ku thuhej se me dhjetëra trupa ushtarake siriane, të cilat mbaheshin të bllokuara që prej prillit në një spital, janë liruar ditën e premte.
Në operacionin e ndërmarrë nga ushtria kanë mbetur të plagosur me qindra persona në radhët e rebelëve.
Gjatë ditëve të fundit forcat e Asadit kanë shtuar sulmet ajrore edhe ndaj militantëve të ISIS, duke vrarë me dhjetëra e duke plagosur me qindra të tjerë. Gjithashtu në sulmet e javës së kaluar u vranë edhe 5 liderë të Shtetit Islamik në lindje të vendit.