Skandal, pushuesit bllokohen për orë të tëra në aksin Vlorë- Orikum

Ka qenë rraskapitës udhëtimi për mijëra pushues që kishin zgjedhur bregdetin e Vlorës këtë fundjavë. Trafiku ka qenë katastrofik që në orët e para të mëngjesit duke bërë pushuesit të qëndrojnë në rrugë nën temperatura përvëluese.

Radha e gjatë e automjeteve niste që në dalje të Vlorës, por më e rënduar situata ishte në zonën e Ujit të Ftohtë në hyrje të tunelit dhe nga Radhima në Orikum.

Për shkak të rrugës së ngushtë me vetëm dy kalime dhe fluksit të lartë të pushuesve ka bërë që në rrugë të qarkullohet me vështirësi.

E njëjta situatë është përsëritur edhe në orët e pasdites. Situata është përkeqësuar edhe për shkak të përplasjes së një autobusi me pasagjerë nga i cili nuk ka pasur të lënduar, por që ka ndikuar në rëndimin e trafikut. Udhëtarët tregojnë se për të përshkuar vetëm 10 kilometra u janë dashur 3 orë.

“Shumë trafik…kam ndenjur gati 1:30 deri në 2 orë në trafik…”

“Shumë trafik na vajti plazhi pas kurrizit…”

Fundjavat këtë sezon turistik janë kthyer problem mjaft të madh për sa i përket lëvizjes së automjeteve për shkak të fluksit të madh të pushuesve që udhëton drejt jugut./Tv Klan/

Leave a Reply