Fillimisht u duk si një shaka, por më pas u zbulua se bëhej fjalë për plan të vërtetë lufte dhe më vete një skandal të madh e thyerje të rregullave të sigurisë kombëtare të SHBA-së.
Ditën e sulmeve të SHBA-së ndaj rebelëve Huthi të Jemenit, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare Mike Waltz hap një grup komunikimi në aplikacionin Signal e ku aksidentalisht fut edhe kryeredaktorin e revistës “The Atlantic”, Jeffrey Goldberg.
18 vetë në këtë grup të aparatit të sigurisë, përfshirë Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth dhe zv/Presidentin JD Vance diskutojnë planet e luftës, objektivat, kohën dhe armët.
“Fillimisht mendova se ishte një shaka”, tha Goldberg në një shkrim të posaçëm. “Më pas kur filluan të binin bombat, u ndërgjegjësova se ishte e vërtetë.
Komunikimet tregojnë një anë tjetër të administratës. Aty flitet për mbrojtje të interesave saudite të naftës dhe përçmohen aleatët europianë.
Presidenti Donald Trump u pyet për këtë skandal nga gazetarët. Natyrisht përgjigjia ishte mohuese.
“Nuk di asnjë gjë për këtë. Nuk jam ndonjë tifoz i madh i revistës ‘The Atlantic. Është një revistë që po del nga tregu. Por nuk di gjë për rastin në fjalë”.
Incidenti u konfirmua më vonë nga Shtëpia e Bardhë. “Për momentin komunikimet duken autentike. Jemi duke verifikuar se si ka ndodhur diçka e tillë,” i tha BBC-së Brian Hughes, një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Aplikacioni Signal përdoret gjerësisht në Uashington nga gazetarët dhe zyrtarët, për shkak të karakteristikave të tij të sigurisë.